ELBASAN- Dy qytetarë nga Elbasani kanë hedhur në gjyq Bashkinë e Elbasanit dhe kompaninë "Eco-Elb". Fatmira dhe Gentian Serjani i janë drejtuar me padi civile gjykatës së rrethit me akuzën për cenim të rëndë të mjedisit dhe shëndetit publik si pasojë e zjarrit të ndodhur më 1 korrik. Padia është dorëzuar me pretendimet e 65-vjeçares, e cila pretendon se shëndeti i saj është rënduar për shkak të ndotjes së shkaktuar nga zjarri i rënë në lanfillin e Elbasanit.
"Unë jam Fatmira kam 15 vite që vuaj nga astma. Ato ditë kur ishte djegia në Metarulgji, mua mu mor fryma dhe u detyrova ta përdor pompën 5-6 herë në ditë. Dua të drejtën time,"-tha paditësja. Ndërkohë më shumë detaje për padinë dha në "MCN", juristi Gentian Serjani. Në fjalën e tij, avokati tha se nëse fitohet dëmshpërblim, 30 për qind e shumës do shkojë për zonjën në fjalë dhe 70 për qind për qytetarët e diagnostifikuar me kancer. Serjani theksoi se padia duhet të kthehet në precedent, dhe u shpreh se është përgëzuar edhe nga punonjës të institucioneve.
“Ne pamë që qytetarët e qytetit të Elbasanit nuk thithin dot ajër, fëmijët tanë nuk loznin dot në rrugë sepse thithnin ajër të ndotur, që ishte disa fish mbi normën e lejuar dhe institucionet përgjegjëse heshtën. Nuk pamë nga ISHP të thoshte që qytetarë për shkak të zjarrit duhet të merrni këto masa, të përdorni këtë ushqim, të ajroseni në një vend tjetër, etj etj. Ai landfill merr shumicën e taksave të qytetit të Elbasanit, që ato mbetje të mos ndosin ajrin dhe qytetin e Elbasanit, por ne kemi parë që çdo vit qyteti ndotet për shkak të zjarreve. Prokuroria duhet të nxisë hetimet dhe të dalë me një vendim që cili ka qenë shkaku, arsyeja e zjarrit.
Ligji për mbrojtjen e mjedisit e përcakton qartë që çdo qytetar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës në bazë të shkeljeve ligjore që provohen dhe konstatohen. Kemi zonjën, që vuan prej shumë vitesh nga një sëmundje e aparatit respirator, që pati një përkeqësim të situatës shëndetësore, ku nëse e përdorte pompën 1-2 herë në ditë, iu desh ta përdorte pompën 5-6 herë në ditë, që ka pasoja për shëndetin pasi i sjell rritje të tensionit. Organizatat shqiptare janë për të mbrojtur mjedisin, por kur u kërkohet dokumenti i matjeve, përgjigjja është që e kemi vetëm për ndërgjegjësimin e qytetarëve. Me këtë padi donim t’u tregonim institucioneve që ka edhe qytetarë të tillë. Kemi si palë të paditur kompaninë Eco-Elb që menaxhon landfillin dhe Bashkinë e Elbasanit. Eco-Elb është fajtore kryesore sepse s’ka marrë asnjë masë për parandalimin e ngjarjeve të tilla, dhe Bashkia e Elbasan s’ka krijuar trysni për zhdukur mbetjen me incenerim, që po bëhet me djegie dhe ndotje të mjedisit.
Ndotja ishte e tmerrshme, 6 ditë s’mund të jetoje dot në qytetin e Elbasanit. Nëse do hapje dritaren s’do merrje dot frymë. Nivele të larta të ndotjes së ajrit, mbetje të dëmshme për trupin dhe shëndetin e njeriut. Punonjës të institucioneve kanë thënë shumë mirë që po e bën, se po na mbron edhe ne. Janë të frikësuar nga situata e punës dhe marrëdhënies me institucionin.
Do kërkojmë gjatë seancave ekspertë që do bëjnë vlerësimin e dëmit, dhe besoj që do jetë e konsiderueshme, për t’i ardhur në ndihmë asaj zonjës, dhe një pjesë do shkojë edhe për qytetarët që janë diagnostikuar me kancer. Ndoshta 30 për qind për zonjën, dhe 70 për qind për qytetarët e diagnostifikuar me kancer,”-bëri me dije avokati.
Landfilli i mbetjeve në Elbasan, vetëm 3 kilometra nga qyteti, u përfshi në fillim të muajit nga flakët për disa ditë me radhë. Për shuarjen e zjarrit u angazhuan disa mjete zjarrëfikëse por edhe helikopteri “Cougar” si dhe dhjetëra forca të ushtrisë. Matjet e realizuar nga ekspertë të pavarur treguan se ndotja e ajrit në Elbasan, për shkak të zjarrit në landifllin e qytetit dhe tymit masiv shkoi përtej nivele të moderuara, duke u shfaqur i pashëndetshëm./ZËRI