TIRANË- Biznesmeni dhe aksioneri i 98% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj lajmeve dhe emisioneve të transmetuara në televizionet shqiptare në lidhje me investimet në këtë projekt gjigand. Lidhur me një deklaratë të bërë në emisionin e Adi Krastës, ku sipas një të ftuari, Qeveria Shqiptare po paguan shpenzimet e aeroportit, Pacolli ka reaguar i revoltuar duke i mohuar këto zëra. Pacolli ka sqaruar se Qeveria Shqiptare nuk ka paguar dhe nuk do të paguajë asnjë qindarkë për ndërtimin e këtij aeroporti. Sipas tij, ndërtimi i aeroportit dhe të gjitha investimet në të, financohen nga koncesionari.
Reagimi:
Duke ndjekur disa televizione shqiptare përmes telefonit tim (pasi ndodhem larg Shqipërisë), te emisioni i Adi Krastes, dëgjova zotin Kalliqi ( nuk e di kush eshte ai) që deklaronte se Qeveria Shqiptare është duke paguar për ndërtimin e aeroportit dhe se do të shpenzojë qindra miliona euro për këtë projekt.
Kjo është plotësisht e pavërtetë. As Qeveria Shqiptare, e as ndonjë qytetar shqiptar, nuk ka paguar dhe nuk do të paguajë asnjë qindarkë për ndërtimin e këtij aeroporti.
Ndërtimi i aeroportit financohet tërësisht nga koncesionari. Kontrata e koncesionit parashikon vetëm një garanci minimale të pasagjerëve, një praktikë e zakonshme në marrëveshje të tilla ndërkombëtare. Ky minimum arrihet pa asnjë vështirësi, andaj, çdo spekulim mbi barrë financiare për shtetin është tendencioz dhe keqdashës.
Prandaj, dua të theksoj qartë:
As Qeveria Shqiptare dhe asnjë shqiptar nuk do të paguajë asnjëherë asnjë cent për ngritjen e këtij aeroporti.
Të gjitha investimet mbulohen nga koncesionari, i cili do t’i rikuperojë mjetet e investuara gjatë afatit të përcaktuar në kontratë.
Ju lutem, mos e helmoni kulturën e informimit publik me lajme të shtrembëruara dhe të pavërteta. Dezinformimi nuk është thjesht gabim — është papërgjegjësi që dëmton publikun dhe krijon konfuzion të panevojshëm.