Aktualitet

Protestë kundër TEC-it/ Banorët në Roskovec ankohen: Shkakton ndotje e sëmundje!

Në prononcimet që kanë dhënë për media, banorët janë shprehur kundër ndërtimit të termocentralit për shkak se dëmeve që do të shkaktojë në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve.

k.m.
Protestë kundër TEC-it/ Banorët në Roskovec ankohen:
Foto ilustruese

FIER- Dhjetëra banorë të fshatrave Suk1, Suk 2, Arapaj, Jagodinë dhe Strum të bashkisë së Roskovecit kanë protestuar sot kundër ndërtimit të termocentralit të ri. Protesta e tyre vjen disa ditë pas vendimit të marrë nga qeveria për nisjes e investimit.

Në prononcimet që kanë dhënë për media, banorët janë shprehur kundër ndërtimit të termocentralit për shkak se dëmeve që do të shkaktojë në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve. Kjo pasi ndërtimi i impiantit, që do të prodhojë energji nga gazi, do të sjellë ndotje duke rrezikuar shëndetin e banorëve. Ndër të tjera, ata shprehen se janë kundër vendimit që është marrë pa u konsultuar fare e ta lidhur me impaktin që do të ketë në komunitet.

Në shenjë revolte ata i kanë vënë flakën një prej shtyllave të betonit, që është vendosur për piketim e TEC-it që do të realizohet nga shoqëria greko-shqiptare “Fier Thermoelectric” sh.a. Ndërsa njëzëri kërkuan që të anulohet leja e ndërtimit.

“Kjo është zonë blegtorale e bujqësore. Mbi 750 ha sera që prodhojnë për vendin tonë, BE e Ballkanin. Kjo është tokë buke. Shumë banorë kanë frikë të dalin se i ka bërë presion zonja kryetare e bashkisë. Këtu pranë kemi një shkollë që e frenkuetojnë 62 fëmijë, përfshirë arsimin parashkollor. Një kilometër e gjysmë më tej është një shkollë tjetër që e frekuentojnë 285 fëmijë. Është një katastrofë e vërtetë. Institucionet publike dhe banesat janë shumë pranë,”-janë shprehur banorët.

Protestuesit kanë paralajëmruar se do ta dërgojnë çështjen edhe në Parlamentin Europian.

Më 19 dhjetor, qeveria shqiptare miratoi ndërtimin e termocentralit me fuqi të instaluar 170 mega në Roskovec të Fierit. Në vendim, qeveria thotë se koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Kompania private do të ketë të drejtë të shfrytëzojë termocentralin për 49 vjet, ndërkohë që energjia e prodhuar prej tij nuk blihet nga shteti, por do të shitet në tregun e lirë. Shteti përfiton 2 për qind të sasisë vjetore të energjisë së prodhuar nga termocentrali ose ekuivalentin e saj në lekë në formën e rentës./ZËRI

Poll

MOS HUMB