
FIER-Banorët në qytetin e Fierit kanë zhvilluar sot një protestë në lidhje me vonesat që po përballen për të marrë çertifikata pronësie. Ata u mbledhën sot pranë Kadastrës Fier për të shprehur indinjatën e tyre ndaj procedurave zvarritëse që po ndodhin prej vitesh në lidhje me pajisjen me çertifikatat.
Ata theksuan se është e papranueshme që pas aplikimit dhe pagesës së taksave, ata të përballen me vonesa të shumta dhe të shpërndahen nga një institucion në tjetrin pa asnjë rezultat konkret. Protestuesit kërkuan një sistem më të shpejtë dhe më transparent për pajisjen me certifikata pronësie, duke ndaluar kështu zvarritjen që ka vazhduar për më shumë se një dekadë.
Burime brenda kadastrës së Fierit thanë se në zyrat e këtij institucioni ka volum të madh aplikimesh që trajtohen çdo ditë. Drejtoria e Kadastrës së Fierit thotë se po aplikon një shërbim të ri për të qenë më pranë qytetarëve por duke shmangur kontaktin me ta.
Përmes kësaj proteste, qytetarët kërkojnë që qeveria dhe institucionet përkatëse të ofrojnë një zgjidhje të shpejtë dhe efikase për këtë situatë, duke theksuar se kjo problematikë është bërë një barrë e padurueshme për shumë qytetarë, të cilët vazhdojnë të presin në kushte të papërshtatshme për të siguruar dokumentet e nevojshme për pronat e tyre./ZËRI