Aktualitet

Porositi vrasjen e Marius Hasallës për gjakmarrje, por i plagosën hallën, dënohet me 25 vite burg Laert Hasalla

Ngjarja u regjistrua më 30 mars 2023 në Lushnjë, ku gjatë atentatit, e plagosur mbeti vetëm halla e Marius Hasallës, Bajame Sejena

F.I
Porositi vrasjen e Marius Hasallës për gjakmarrje, por i plagosën
FOTO ILUSTRUESE

FIER- Laert Hasalla është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Fierit. 34-vjeçari ndodhej në 'arrest shtëpi' për tentativë vrajse. Konkretisht Hasalla pagoi Mariglen Matjanin, aktualisht i dënuar, që të vriste Marius Hasallën për gjakmarrje. Ngjarja u regjistrua më 30 mars 2023 në Lushnjë, ku gjatë atentatit, e plagosur mbeti vetëm halla e Marius Hasallës, Bajame Sejena, pasi ndodheshin në një automjet.

Konflikti mes familjeve Hasalla

Gjithçka ka nisur për një konflikt toke prej 2 hektarësh që është kthyer mollë sherri mes dy familjeve Hasalla. Përplasjet mes tyre kulmuan në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tyre, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin, Romeo Hasalla dhe të plagosur Shaip Hasallën së bashku me dy djemtë e tij, Emiljano dhe Laert Hasallën. Për ngjarjen u arrestua edhe Afrim Hasalla por më pas u la i lirë, pasi Kastriot Hasalla u vetëdorëzua në polici duke pranuar krimin. Ai është dënuar me 35 vite burg.

Njoftimi i policisë:

Porositi një vrasje të mbetur në tentativë për motive gjakmarrjeje, 34-vjeçari dënohet me 25 vite burg.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Fierit, e cila e dënoi me 25 vite burg, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, shtetasin:
L. H., 34 vjeç, banues në fshatin Garunjas, Lushnjë.

Ky shtetas ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi dyshohej se kishte porositur vrasjen e shtetasit M. H., në vitin 2023.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi L. H. kishte paguar shtetasin M. M., 31 vjeç (aktualisht i dënuar), i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me qëllim vrasjen e shtetasit M. H.

Si pasojë e të shtënave, mbeti e plagosur shtetasja B. S., e cila udhëtonte në të njëjtin automjet me shtetasin M. H./ZËRI

Poll

MOS HUMB