Aktualitet

Polici përplas një qytetar, largohet nga vendi i ngjarjes dhe shkon në punë “si të mos kishte ndodhur asgjë”! Arrestohet nga AMP

Në vend që të merrej me pasojat e aksidentit, ai shkoi në komisariat dhe vazhdoi ditën si gjithmonë

I.F
Polici përplas një qytetar, largohet nga vendi i ngjarjes dhe shkon
FOTO ILUSTRUESE

KORÇË- Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Korçë, ku një punonjës i Patrullës së Përgjithshme ka zgjedhur një mënyrë aspak të zakontë për të nisur ditën e tij të punës. Sipas burimeve të Zëri, më 3 mars, oficeri i policisë përplasi me makinë një qytetar, vendosi që “s’kishte kohë për këto gjëra”, dhe u largua nga vendi i ngjarjes pa e ndihmuar të aksidentuarin dhe pa njoftuar autoritetet.

Në vend që të merrej me pasojat e aksidentit, ai shkoi në komisariat dhe vazhdoi ditën si gjithmonë – ndoshta edhe duke dhënë ndonjë paralajmërim për shkelje rrugore të ndonjë shoferi tjetër.

Por skenari nuk përfundoi me kaq. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) e kishte ndjekur situatën me kujdes dhe nuk kishte ndërmend ta linte me “harrim”. Polici u arrestua dhe tashmë po përballet me tre akuza penale:

                •             “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”,

                •             “Largimi nga vendi i aksidentit”,

                •             “Mosdhënia e ndihmës”.

Ndërkohë, qytetari i plagosur u transportua për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë. Për momentin, oficeri ka kaluar nga kontrolli i rrugëve në kontrollin e hetuesve./ZËRI

Poll

MOS HUMB