
TIRANË- Dy vëllezërit, Shkëlqim dhe Florian Dukaj ishin bërë një plan të detajuar për të eliminuar biznesmenin Eduart Reçit pak ditë më parë në Tiranës, pasi me të kishin probleme me pronat. Për shkak se në vendin ku kishte ndodhur vrasja, nuk ishte gjetur një gëzhojë, hetuesit ngritën dyshime se viktima ishte qëlluar nga një lartësi, me shumë gjasa nga ndonjë pallat pranë zonës ku banonte viktima, 52-vjeç. Kështu u rikthyen sërish në vendin e krimit dhe kryen eksperimente për të mësuar pozicionin e qitjes dhe drejtimin që kishte marrë plumbi për të zbuluar se nga cili pallat ishte qëlluar.
Hetuesit, vetëm në këtë mënyrë, kanë mundur që të mësojnë më shumë lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit. Në vijim të hetimeve, Policia ka shqyrtuar kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi vrasja, duke zbuluar prova të rëndësishme që çuan në ndjekjen e vëllezërve Dukaj. Gjatë kontrolleve të kryera në banesat dhe lokalin e tyre mbrëmjen e djeshme, uniformat blu kanë gjetur një armë zjarri, por edhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.
Gjithashtu, në telefonin e Shkëlqim Dukajt është gjetur edhe një foto e armës së zjarrit që është përdorur për vrasjen. Mesa duket, 48-vjeçari ka marrë përsipër që të tërheqë këmbëzën për shkak të eksperiencës që kishte me armët e zjarrit, pasi prej vitesh punonte si oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin nr.2. Vëllai tjetër, Florian Dukaj kishte marrë përsipër që të ndiqte çdo lëvizje të viktimës duke njoftuar të vëllanë që do të kryente vrasjen.
Në momentin e parë që patën fushëpamjen dhe mundësinë për të qëlluar, Shkëlqim Dukaj qëlloi një "tek" plumb në kokë shënjestrën e tij, që edhe pse u dërgua në spital, sërish nuk u mbijetoi dot plagëve të marra. Shkak për vrasjen, raportohet se është bërë një konflikt që të tre kanë pasur. Kjo pasi Reçi kërkonte që të investonte në ngritjen e një pallati në një pronë që kishte në kufi bizneset e vëllezërve Dukaj. Edhe pse palët ishin takuar disa herë për të rënë dakord, sërish ka pasur përplasje mes tyre. Konflikt që përfundoi me një viktimë./ZËRI