
TIRANË- Sot është zhvilluar seanca e radhës për biznesmenin Rezart Taçi. Në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë deklarime Moris Vidhi. Vidhi, drejtori i bankës së nivelit të dytë ku ishin depozituar 18.3 mln euro ka sqaruar mënyrën sesi është bërë derdhja e parave. Sipas tij, e kishte takuar Taçin në vitin 2014, por biznesmeni nuk kishte rënë dakord për normën e interesit. Herën e dytë kanë shkuar dy shtetas italianë.
“Kam ndjekur procedurën standarde, janë paraqitur dy shtetas italian, njëri prej tyre është paraqitur si avokat dhe tjetri si biznesmen që donte të transferonte para për të investuar në Shqipëri. Ura lidhëse ka qenë Artur Balla. Në dijeninë time donin të investonin në hidrokarbure. Kam vënë re shifrën e lartë, dhe kontaktova menjëherë eprorët të cilët më autorizuan për transfertën, duke qenë se kishte interes për bankën. Më thanë bëje transferimin por bllokoj, pa i vënë në dijeni depozituesit që do i bllokosh derisa të bëhen verifikimet.
Depozita e natyrës së ngrirë ku klientët nuk kanë të drejtë ti tërheqin. Avokati me qëllim të verifikonte që depozita ishte e lirë, kishte kërkuar disa herë tërheqjen e një shume simbolike, për të provuar se depozita është e hapur. Kam mbajtur në dijeni eprorët edhe për këtë fakt, të cilët më ka thënë t’iu komunikoja se depozita ishte aty por nuk mund të përdorej.
Bankës i ka ardhur një sinjalizim dhe është vënë në dijeni agjensia për pastrimin e parave. Taçin e kam takuar vetëm njëherë në 2014 me të shoqen dhe ka dashur të bëjë një depozitë. Ai nuk ra dakort me normat e interesit që kishim si bankë dhe vendosi të mos e bëjë depozitën,”-ka thënë Vidhi, sipas "OraNews".
Disa javë më parë, SPAK mbylli hetimet ndaj tre bashkëpunëtorëve italianë të Rezart Taçit. Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës të dënojë për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, shtetasit italianë Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, si pjesë e grupit të Rezart Taçit. Sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo dhe kontabilisti Fabio Petruzzella, të dy nën akuzë kanë mbërritur në Shqipëri në qershor të vitit 2021. Ata janë pritur nga bashkëpunëtorët e Rezart Taçit, Balla e Lilo. Të gjithë së bashku kanë bashkëpunuar për të organizuar një skemë komplekse financiare të paligjshme, të shtrirë në disa shtete, me qëllim pastrimin e milionave eurove./ZËRI