
TIRANË-Gjykata e Posaçme vijoi sot me shqyrtimin paraprak të dosjes “Partizani”, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të pandehurve të tjerë. Kreu i Prartisë Demokratike, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Malltezi, nuk ishin të pranishëm në seancë, por avokatët paraqitën kundërshtimet e tyre. Gjatë seancës, avokatët e Jamarbër Malltezi dhanë kundërshtimet e tyre dhe më pas vazhdoi mbrojtja e biznesmenit Fatmit Bektashi dhe dy të akuzuarve të tjerë, Xhimi Begea dhe Andia Pustina. Më herët gjykata u njoh me pretendimet e avokatëve të Berishës, ndërsa vendosi të shtyjë seancën për në datën 7 shkurt në orën 13:00.
Avokati Genc Gjokutaj pas përfundimit të seancës tha se Malltezi akuzohet për bashkëpunim me Berishën për korrupsion të zyrtarëve të lartë. Gjokutaj tha se kjo akuzë është e pabazë sepse, dhëndri i kryedemokratit nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i lartë.
“U denoncua prapavija politike e këtij procesi, se Maltezin e akuzojnë në bashkëpunim me Sali Berishën për korrupsion të zyrtarëve të lartë, ndërkohë që ai nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i lartë dhe nuk është subjekt i kësaj çështje. Për shkak të faktit penal, avokati kërkoi pushimin e gjykimit, në alternativë, nëse gjykata nuk bindet kërkoi kthimin për t’i vendosur SPAK-ut detyra specifike ndër të cilat është detyra bazë, thirrja e Edi Ramës në SPAK. Për ta pyetur në lidhje me transformimin e asaj prone, nga klub sportiv në truall ndërtimi dhe të gjitha veprimet të kryera ndaj tij. Ato ndodhen në dosje, por nuk përmenden nga prokurori me autorësinë e kryeministrit”, tha Gjokutaj.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.
Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja./ZËRI