TIRANË- Kanë dalë pamjet e vetëdorëzimit të Elvis Shkambit, pasi i kishte marrë jetën gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja. Në pamje ai qëndron qetësisht në derën e jashtme të gjykatës, me duar në xhepa, dhe më pas i afrohet një efektivi të policisë, duke i thënë që ai ishte autori i vrasjes së Kalasë. Menjëherë pas këtij momenti, në pamje shihet një numër i madh i efektivëve të policisë, duke hyrë në oborrin e gjykatës, për të bërë më pas dhe prangosjen e 30-vjeçarit. Vetë Shkambi e ka pranuar krimin e rëndë dhe në dëshminë e tij paraprake është shprehur se i kishte ‘ardhur në majë të hundës’ me zvarritjen e sistemit të drejtësisë, për çështjen e pronës.
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seance gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Dyshohet se autori tashmë i identifikuar, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks.
Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Elvis Shkambi është autori i ngjarjes, i cili u arrestua menjëherë pas krimit, ndërsa në pranga ka rënë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi. Gjithashtu në pranga ka rënë edhe një punonjës sigurie i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili lejuar hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi. Gjykata e Apelit ka marrë një vendim drastik pas vrasjes në sallën e gjyqit të magjistratit Astrit Kalaja. Ditën e sotme do të pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit, dhe asnjë qytetar nuk do të jetë i pranishëm në ambientet e këtij institucioni. /ZËRI