TIRANË- Biznesmeni Orest Sota, një nga personat e arrestuar në kuadër të operacionit të SPAK për dosjen "ARUBA", është transferuar në Spitalin e Burgut, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore. Detaje mbi gjendjen shëndetësore të Orest Sotës apo arsyet konkrete që çuan në transferimin e tij në Spitalin e Burgut nuk janë bërë publike.
Lajmi u bë i ditur gjatë shqyrtimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila vendosi të lërë në fuqi masat e sigurisë "arrest me burg" për të gjithë të dyshuarit që kundërshtuan vendimet e Shkallës së Parë.
Përveç Sotës, Apeli la në fuqi edhe masat ndaj Dritan Agës, Edmond Jaupit, Orges Birçajt dhe Leonard Bishajt, duke rrëzuar kërkesat e tyre për lehtësimin ose ndryshimin e masave të sigurisë.
"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Dhimitër Lara, sot, më datë 30.07.2026, disponoi për çështjen penale nr. 32 akti, datë 21.07.2026 regjistrimi, dhe për çështjen penale nr. 32 akti, datë 21.07.2026 regjistrimi, të bashkuara sipas nenit 79 të K.Pr.Penale, mbi ankimet e personave nën hetim/ankuesve D.A., O.S., O.B., G.I., E.J. dhe L.B., në lëndë të masave të sigurimit, si vijon:
Miratimin e urdhrit nr. 44, datë 14.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarit z. O.S., z. D.A., z. E.J. dhe z. O.B.
Miratimin e urdhrit nr. 46, datë 17.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarin z. L.B.
U shpall më 30.07.2026.
Miratimin e Urdhrit nr. 44, datë 14.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarit z. Orest Sota, z. Dritan Aga, z. Edmond Jaupi dhe z. Orges Birçaj.
Miratimin e Urdhrit nr. 46, datë 17.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarin z. Leonard Bishaj.", thuhet në vendimin e Gjykatës.
Orest Sota u arrestua në kuadër të operacionit të SPAK për dosjen “Aruba”, në kuadër të operacionit të SPAK kundër dy grupeve të dyshuara të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Sota, në dosjen hetimore siguruar nga ZËRI, del në komunikime me Alfredo Hamzain, lidhur me lëvizjen e shumave të mëdha të parave dhe interesimin për investime në pasuri të paluajtshme.
Operacioni i zhvilluar më 12 qershor çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë. Mes personave të përfshirë në hetim janë edhe biznesmeni Ilir Shtufi, i arrestuar në Greqi, si dhe Artur Shehu, i shpallur në kërkim. Po ashtu në kërkim janë Erion Rama dhe vëllai i tij Adriani, nipat e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”. Grupi kriminal i vëllezërve Koçeku, i drejtuar nga Luçiano alias Artur Koçeku, vëllain e tij Abedin Koçeku dhe të tjerë anëtarë të familjes janë mes personave që është vendosur masa e sigurisë. Sipas SPAK, fitimet e krijuara nga trafiku i drogës janë investuar më pas në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike.
Gjatë operacionit u sekuestruan pasuri të shumta, përfshirë vila dhe apartamente, llogari bankare, automjete luksoze, mjete lundruese, si dhe aksione në shoqëri tregtare, të dyshuara si të financuara nga aktiviteti kriminal./ZËRI