Aktualitet

One Albania rrit tarifat, Konkurrenca për ZËRI-n: Po hetohet, do të vlerësohet nëse është në përputhje me ligjin

Megjithatë, mënyra e zbatimit të kësaj norme po vlerësohet ende për të përcaktuar nëse është në përputhje me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

l.k
One Albania rrit tarifat, Konkurrenca për ZËRI-n: Po hetohet, do
Foto ilustruese

TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës i është përgjigjur kërkesës së ZËRI-t lidhur me rritjen e tarifave të njoftuar nga kompania “One Albania” në fund të muajit mars, e cila hyri në fuqi më 1 maj. Sipas njoftimit të dërguar abonentëve, One shprehet se rritja e çmimeve justifikohet me indeksin mesatar vjetor të çmimeve të konsumit (IÇK), të publikuar nga INSTAT.

ZËRI iu drejtua Autoritetit të Konkurrencës për të pyetur nëse kjo rritje është në përputhje me rregullat e konkurrencës dhe nëse përbën praktikë abuzive, si dhe nëse mënyra e komunikimit me klientët cenon transparencën dhe të drejtat e konsumatorëve.

Në përgjigjen e tij, Autoriteti thekson se çështja e aplikimit të IÇK është pjesë e hetimit të thelluar që po zhvillohet për tregun e shërbimeve celulare me pakicë, që përfshin periudhën 1 janar 2022- 18 nëntor 2025, ndaj dy kompanive telefonike: “One Albania” dhe “Vodafone Albania”.

Sipas institucionit, në kontratat ekzistuese të operatorëve parashikohet që tarifat mund të rregullohen jo më shumë se një herë në vit, zakonisht në muajin prill, në përputhje me IÇK të publikuar nga INSTAT. Megjithatë, mënyra e zbatimit të kësaj norme po vlerësohet ende për të përcaktuar nëse është në përputhje me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

“Në kuadër të hetimit të thelluar në tregun e shërbimeve celulare, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës do të vlerësojë edhe aplikimin e normës së IÇK, në kuptim të Ligjit nr. 9121 ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’. Procedura e hetimit është ende në vijim”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit.

Ndërkohë, edhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka reaguar ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Kreu i AKEP, Gentian Sala, deklaroi se çështja po ndiqet nga afër dhe se çdo ankesë e abonentëve do të trajtohet, ndërsa pritet një vendimmarrje pas shqyrtimit të rastit.

Rritja e tarifave ka shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e abonentëve të “One Albania”, të cilët shprehen se ndryshimi i çmimeve është i papërballueshëm dhe se po shqyrtojnë kalimin te operatorë të tjerë. Sipas tyre, edhe cilësia e shërbimit, veçanërisht interneti, ka pasur probleme. Tarifat llogaritet të rriten në rreth 300-400 lekë në muaj, sipas paketës së zgjedhur nga abonentët./ZËRI

Poll

MOS HUMB