SHKODËR- IKMT ka zbarkuar përgjatë natës në Theth, aty ku për më shumë se një javë vijon aksioni i shembjes së objekteve pa leje në të gjithë zonën turistike. Rreth 100 objekte janë shembur deri më tani, ndërsa aksioni pritet të vijojë edhe përgjatë ditëve në vijim deri në 'rrafshimin' e godinës së fundit.
Aksioni i shembjes në zonën turistike të Thethit është shoqëruar me tensione të vazhdueshme, madje duke agravuar edhe në përdorimin dhe hedhjen e molotovëve, paralajmërime dhe kërcënime. Situata e përshkallëzuar ka nxitur nevojën për shtimin e forcave të policisë, të cilët po qëndrojnë në gatishmëri për të parandaluar incidentet të tjera, të ngjashme.
Ndërkohë, aksioni i shembjes është përmbyllur paraditen e sotme me shembjen e ndërtesës së fundit. Bëhet fjalë për një ndërtesë trekatëshe në fshatin Tursitkë. Ndërtesa u shemb me shpërthim të komanduar, i cili u realizua me sukses, pa incidente.
Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajse në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin. Ky aksion ka nisur prej ditësh në Vlorë, Theth, Tiranë dhe po zhvillohet në të gjitha qytet, duke përfshirë edhe kryeqytetin./ZËRI/