TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka pezulluar nga detyra dy inspektorë dhe përgjegjësin e tyre të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, pasi nuk kanë denoncuar ndërtimet pa leje që kryheshin në zonën e Selitës në Tiranë. Tre zyrtarët e IMT, Egnant Musaj, Shkëlqim Gaçi dhe Virgjil Shehaj, janë pezulluar si të dyshuar për veprën e shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit të Pokurorisë, nga hetimet rezultoi e provuar se në rrugën “Valentina Pistoli”, në Selitë, Tiranë, po kryheshin punime të dyshuara pa leje nga shtetasi D.G. Dy inspektorët dhe përgjegjësi i tyre nuk pasqyruan faktin se në rastin konkret kishim të bënim me një ndërtim të paligjshëm, dhe as nuk informuan Kryeinspektorin për marrjen e masave, prishje të ndërtimit apo gjobë.
Ndërtimi në fjalë, i paligjshëm, ka filluar të kryhet që në vitin 2021 dhe ka përfunduar në vitin 2025, ndërkohë që gjatë kësaj kohë është ushtruar kontroll nga pununonjësit e IMT-së, të cilët kanë 'heshtur'.
Njoftimi:
Me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u pezulluan nga ushtrimi i detyrës e shërbimi publik shtetasit E.M., Sh.G., dhe V.Sh. inspektorë terreni dhe përgjegjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), të dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim’ parashikuar nga neni 248 e 25 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.777, të vitit 2025, rezultoi e provuar se në rrugën "Valentina Pistoli", në Selitë, Tiranë, po kryheshin punime të dyshuara pa leje nga shtetasi D.G.
Inspektoret e terrenit për këtë zonë, ku u ndërtua banesa pa leje janë shtetasit E. M. Sh.G. si dhe përgjegjësi i sektorit, shtetasi V.Sh. Nga hetimet, rezultoi se këta persona nuk pasqyruan faktin se në rastin konkret kishim të bënim me një ndërtim të paligjshëm, dhe nuk e informuan Kryeinspektorin se duhej të vendosej masë administrative, gjobë, të merrej vendim për prishje të këtij ndërtimi dhe më pas të depozitohej kallëzim penal në Prokurorine pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Nga hetimet rezultoi se ndërtimi i paligjshëm ka filluar të kryhet nga data 01.11.2021 dhe ka përfunduar në datë 19.04.2025 kur ndërkohë në datë 02.04.2025, u ushtrua kontroll nga punonjësit e IMT-së duke konsumuar në këtë mënyrë elementet e veprës penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 të K.Penal.
Sa më sipër u vlerësua caktohimi i masës së sigurimit personal ’Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.