VLORË- Një rritje e pazakontë e nivelit të ujit të detit regjistruar në qytetin e Vlorës, në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 02:45. Rritja e nivelit të ujit, duke arritur gati në 1 metër, sipas peshkatarëve vendas ky është një fenomen që nuk është vërejtur më parë me këtë intensitet. Sipas dëshmive të tyre, rritja e nivelit të detit ka qenë dukshëm më e madhe se baticat e zakonshme.
Uji ka avancuar drejt tokës duke depërtuar në disa zona pranë qendrës së peshkimit në Radhimë, ndërsa varkat e ankoruara janë tendosur fort nga litarët për shkak të ngritjes së menjëhershme të nivelit të detit. Po ashtu, uji ka vërshuar edhe në magazinat pranë portit të peshkimit, duke krijuar një situatë shqetësuese për mjetet dhe pajisjet e punës së peshkatarëve.
Një tjetër element shqetësues ka qenë edhe fakti se disa peshq janë parë të dalë në tokë, një fenomen që zakonisht ndodh gjatë detit të trazuar ose ndryshimeve të forta të nivelit të ujit. Sipas peshkatarëve, zakonisht niveli i baticës dhe zbaticës është 40–60 centimetra, por kësaj here ka qenë më shumë se 1 metër.
Edhe peshkatarë të tjerë, të cilët ndodheshin në det në atë orë, tregojnë të habitur për këtë fenomen të rrallë, duke theksuar se nuk kanë parë kurrë më parë një rritje kaq të frikshme dhe të menjëhershme të nivelit të detit./ZËRI