TIRANË-Avokati i Popullit, Ahmet Prenci ka nisur hetimet për mënyrën e trajtimit në qeli të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Pas rreth një jave të dëgjimit të ankesave nga Veliaj dhe Meta, Avokati i Popullit i është drejtuar me kërkesë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të marrë shkresa mbi planin e masave të gardianëve dhe grafikun e telefonatave që kanë kryer dy të paraburgosurit apo edhe takimet e tyre.
Por, cilat janë shqetësimet e të paraburgosurve, nën hetim për çështje korrupsioni dhe pastrim parash?
Nga paraburgimi 313, Ilir Meta thotë se mbas dy telefonatave publike, i është kufizuar aktiviteti sportiv pasi i lejohet të luajë ping-pong vetëm një herë në javë. Ish-presidenti i marrë i pandehur prej muajit maj, thotë gjithashtu, se i janë reduktuar telefonatat, dhe njëherazi nuk trajtohet njësoj si të paraburgosurit e tjerë mbasi kur del në ajrim ka forca më të shumta policore se të tjerët.
Ndërkohë siç i pohoi një burim zyrtar TCH, kryebashkiaku Erjon Veliaj është i shqetësuar për mënyrën se si është shoqëruar nga burgu i Durrësit drejt spitalit privat në datë 17 korrik.
Praninë e forcave të konsiderueshme e ka konsideruar si jo propocionale dhe diskriminuese. Burimet shtojnë se ankesa tjetër e kryebashkiakut për të cilin gjithashtu janë mbyllur hetimet është ajo e mos vendosjes në dispozicion të analizave të kryera, që duhet t’i ishin bërë të ditura brenda 15 ditëve aq sa është afati i caktuar me ligj.
Më tej kryebashkiaku ka shqetësim për reduktimin e telefonatave dhe të vizitave, pretendime këto që kanë detyruar Avokatin e Popullit të kërkojë shkresa për procedurat që janë të urdhëruar në rregullore për takime, telefonatat, ajrimin, aktivitetin sportive dhe trajtimin shëndetësor.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është zyrtarisht i pandehur, ku akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale.
Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar. Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë./ZËRI
