Aktualitet

Nga azili në Francë te ekstradimi, Gjykata e Tiranës vendos për 32-vjeçaren turke

Yazici u arrestua në Shqipëri pas kërkesës së drejtësisë turke, ndërsa ndaj saj ishte vendosur masa 'arrest në burg'.

M.K.

 

Nga azili në Francë te ekstradimi, Gjykata e Tiranës vendos
Julide Yazici

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për 32-vjeçaren turke Julide Yazici duke miratuar ekstradimin e saj drejt Turqisë, ku autoritetet e kërkojnë për një çështje që lidhet me dyshime për përfshirje në një organizatë terroriste.

Yazici u arrestua në Shqipëri pas kërkesës së drejtësisë turke, ndërsa ndaj saj ishte vendosur masa 'arrest në burg'. Vendimi për masën e sigurisë u shqyrtua edhe në Apel, i cili rreth dy muaj më parë vendosi ta lërë atë në fuqi.

Çështja e 32-vjeçares ka një tjetër element të rëndësishëm ku ajo rezulton të ketë përfituar azil politik në Francë. Pavarësisht këtij statusi drejtësia turke ka vijuar procedurat ndaj saj, duke e shpallur në kërkim.

Sipas pretendimeve të autoriteteve turke Yazici dyshohet se ka ofruar ndihmë logjistike dhe se ka pasur rol në veprimtarinë e një organizate të konsideruar terroriste nga Turqia.

Emri i saj është lidhur gjithashtu me protesta të zhvilluara disa vite më parë në Turqi, të cilat kishin në fokus të drejtat e kurdëve. Në kuadër të hetimeve, autoritetet turke pretendojnë se gjatë një kontrolli në një banesë në Stamboll janë gjetur materiale dhe prova që lidhen me aktivitetin për të cilin ajo është hetuar.

Për këtë çështje Yazici është dënuar në mungesë me katër vite burgim nga drejtësia turke.

Mësuesja me origjinë nga Turqia u ndalua pak ditë më parë në aeroportin e Rinasit, pasi rezultonte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankaraja./ZËRI

Poll

MOS HUMB