“Mirëmëngjes të nderuar pajtimtarë! ONE Albania ju njofton se, me efekt nga data 1 maj 2026, do të përshtasë tarifat për shërbimet celulare”-ky ishte mesazhi që zgjoi sot abonentë e kompanisë celulare "One Albania". Pra çdo klient i kompanisë One nga fillimi i muajit maj do të përballet me rritje të çmimit për ofrimin e shërbimeve telefonike.
Nëse një ofertë mujore kushton 12 mijë lekë të vjetra, nga 1 maji ajo do të shkojë në 12,264 lekë të vjetra, pra një rritje prej rreth 260 lekësh.
Për një paketë prej 14 mijë lekësh të vjetra, tarifa do të bëhet 14,308 lekë të vjetra, ndërsa për një paketë prej 16 mijë lekësh të vjetra do të arrijë në 16,352 lekë të vjetra në muaj. Në përgjithësi, rritja llogaritet nga rreth 300 deri në 400 lekë të vjetra në muaj.
Në mesazhin drejtuar abonentëve, One Albania njofton se shkak i rritjes së tarifës, thuhet të jetë ndryshimin mesatar vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit (ICK) të publikuar nga Instituti i Statistikave INSTAT.
Mesazhi i plotë: “I nderuar Pajtimtar! ONE Albania ju njofton se me efekt nga data 1 Maj 2026, do te pershtase tarifat per sherbimet celulare bazuar ne ndryshimin mesatar vjetor te indeksit te cmimeve te konsumit (ICK) te publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ne nivelin jo me shume se 2.2% mbi tarifen standarde te planit Tuaj tarifor. Kjo pershtatje kryhet ne perputhje me kushtet e kontrates se pajtimit. Ju mund te gjeni ne kete link https://rb.gy/uh8ixt tarifen e perditesuar te planit tuaj tarifor. Per me shume info, ju lutem kontaktoni 123. Faleminderit!".
Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në Shqipëri për vitin 2025 është rreth 2.2%, çka do të thotë se çmimet në përgjithësi janë rritur me këtë nivel. Po sipas INSTAT, inflacioni i harmonizuar rezulton pak më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila për të njëjtën periudhë llogaritet në rreth 2.3%.
Në fillim të vitit 2024, dy operatorët kryesorë të tregut, Vodafone Albania dhe One Albania, ndryshuan kushtet e kontratave për klientët, duke përfshirë një klauzolë që u jep të drejtën të indeksojnë çmimet çdo vit sipas inflacionit. Kjo do të thotë se, sa herë që rriten çmimet në ekonomi, mund të rriten automatikisht edhe tarifat e shërbimeve celulare. Deri më tani, këtë praktikë e ka zbatuar vetëm One Albania.
Ndërkohë, reagimet e qytetarëve nuk kanë munguar. Prej kohësh, klientët kanë shprehur ankesa për cilësinë e shërbimit, ndërprerje të internetit dhe telefonisë, tarifa të paqarta apo ndryshime të njëanshme në kontrata, si dhe mungesë transparence dhe vonesa në trajtimin e ankesave.
Pavarësisht ankesave operatori One Albania ka pasur fitime të mëdha.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare AKEP, One Albania e mbylli vitin 2024 me një fitim neto prej 476 milionë lekësh, nga vetëm 70 milionë lekë një vit më pare.
Tashmë kompania është e vendosur nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës
Për shkak të shqetësimeve mbi praktikat e tregut, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim më 13 shkurt 2025. Hetimi përfshin periudhën 2022-2024 dhe synon të verifikojë nëse sjelljen e kompanisë One Albania përbën kufizim të konkurrencës, në bazë të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
Deri në përfundim të këtij hetimi, mbetet për t’u parë nëse praktikat e çmimeve nga operatorët celularë do të ndryshojnë apo do të vijojnë të jenë objekt debatesh dhe ankesash nga konsumatorët./ZËRI

