TIRANË- Protesta e studentëve në Tiranë, nuk ka kaluar pa marrë vëmendjen e mediave amerikane. Gazeta amerikane New York Post ka përshkruar përplasjet në qendër të kryeqytetit shqiptar, ku protestuesit kanë hedhur gurë, flakadanë, bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt policisë. Forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, topa uji dhe shkopinj gome për të shpërndarë turmën.
Në artikull thuhet se studentët e shkollave të mesme dhe të universiteteve që kërkojnë tarifa më të ulëta shkollimi, investime më të mëdha shtetërore në arsim dhe që protestojnë kundër korrupsionit në sistemin arsimor i janë bashkuar një lëvizjeje më të gjerë antiqeveritare që bën thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në shkrim citohet edhe fjala e kreut të qeverisë Edi Rama, i cili u shpreh se situata është 'një luftë hibride'.
“Kjo është një luftë hibride që funksionon natyrshëm në masën që funksionon, sepse bazohet në shqetësime reale, jo në fantazi. Shqetësimet për koston e jetesës janë sigurisht reale. Shqetësimet për një të ardhme të sigurt, strehimin dhe mundësitë më të mëdha për të ecur përpara janë gjithashtu reale”, tha Rama.
Kryeministri akuzoi protestuesit se “po e mbajnë qytetin nën një klimë terrori” dhe tha se studentët e përfshirë në protesta “i përkasin rrymave në zhvillim të ekstremizmit politik”, shkruan New York Post.