
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur një hetim ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Dje kryebashkiaku u thërrit në SPAK ku dëshmoi për 5 orë. Pas daljes nga SPAK, Veliaj nuk dha asnjë koment për mediat dhe tha se do të fliste në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Gjatë takimit të Këshillit Bashkiak, ai tha se ishte thirrur për të "bashkëpunuar" me SPAK, pasi në Prokurorinë e Posaçme kishte mbërritur një denoncim një qytetar anonim. Sipas kryebashkiakut të Tiranës, që Veliaj thotë se quhet Nesti Angoni, ndërsa shton se ky qytetar nuk ekziston. Kryebashkiaku i Tiranës e konsideroi denoncimin anonim ndaj tij si një kurth, teksa bëri me dije se do të jetë bashkëpunues me drejtësinë.
Ndërsa sot, SPAK doli me një njoftim zyrtar ku dhe sqaroi akuzat për të cilat po hetohet kryebashkiaku i Tiranës. Struktura bëri me dije hetimi ka nisur pas kallëzimit të bërë në shkurt të këtij viti nga një person i vetëidentifikuar si "N.A.". Ndër të tjera në njoftimin e bërë publik, zbulohet se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, kanë nisur një procedim penal. Fillimisht hetimi nisi për veprën "Korrupsion pasiv", por deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, Prokuroria e Posaçme thekson se Veliaj po hetohet për 4 vepra penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.
Po ashtu, pas SPAK mbrojtja e Veliajt, mbajti një qëndrim zyrtar ku e konsideroi këtë hetim si keqdashës, të qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin. Sipas tyre, po veprohet për të denigruar qëllimisht figurën e kryebashkiakut. "Vepra për të cilat është kallëzuar Veliaj nuk kuptohet, është fshehur fakti i vendosjes nën hetim të Veliajt dhe familjes së tij, kërkesa për kontroll është bërë pa mandate, janë intimiduar dhe ushtruar dhunë agresive ndaj të thirrurve si persona nën dijeni apo janë tejkaluar afatet hetimore”. Mbrojtja shpreh shqetësime dhe për dalje në media të informacioneve mbi hetimin.
Por, deklaratat e forta kanë ardhur dhe nga radhët e opozitës. Kryedemokrati Sali Berisha tha se vetë kallëzimin për Veliajn në SPAK e ka bërë kryeministri Edi Rama. Sipas Berishës, pas personit me emrin Nesti Agoni është kryeministri. Më tej, kryedemokrati ka theksuar gjatë fjalës së tij, se opozita ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbardhjen e veprimeve korruptive të qeverisë, duke përdorur prova dhe dokumente zyrtare për të ngritur akuza të forta. Por, ai nuk u ndal deri këtu, përveç kallëzimeve, sipas Berishës, janë gjetur dokumente dhe prova që zbulojnë një nivel ekstrem të degradimit moral dhe etik në disa institucione të shtetit, duke përfshirë këtu aktivitete dhe festa që ai i quajti “festa erotike”. Ai ka akuzuar SPAK për fshehje të këtyre skandaleve dhe ka njoftuar ngritjen e një komisioni hetimor nga ana e opozitës për të hetuar këto zhvillime.
Ndaj Veliajt ka nisur hetimi i pasurisë, dhe SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, vëllai i tij, Arbër Veliaj dhe nëna e tij, Shqiponja Veliaj. Fillimisht hetimi ndaj Vekiajt nisi për veprën "Korrupsion pasiv", por deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, Prokuroria e Posaçme thekson se Veliaj po hetohet për 4 vepra penale. /ZËRI