TIRANË-Ka vijuar në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës për dosjen "Plumbi i Artë", ku ka dëshmuar Krenar Guçe, zëvendësdrejtori për Krimet në Policinë e Elbasanit. Guçe tha se në telefonin e Nuredin Dumanit është gjetur fotoja e tij, por mohoi të kishte njohje me të. Ish-zv.drejtori theksoi se ka bërë verifikime për vrasjen e Andi Zylyfit teksa shtoi se për Henrik Hoxhajn dëgjoi kur ky i fundit u kap dhe doli në media.
Krenar Guçe: Gjatë kryerjes së detyrës në qarkun e Policisë së Shtetit më ka thirrur Gledis Nano në prezencë të Tonin Vocaj dhe më është bërë me dije se ndaj meje disa persona kanë pasur qëllime dashakeqëse dhe për këtë arsye më u vu mbrojtja fizike. Për Hajdar Bako kam bërë verifikime për vrasjen e Andi Zylyfit. Për të bërë verifikime në Rinas jam urdhëruar nga eprorët. Nuk më kujtohet të kem bërë ndonjëherë kontrolle ndaj Talo Çelës. Për veprimet hetimore në Rinas kam lajmëruar eprorin tim Leonard Palushi. Hajdar Beko e kam njohur nga targa e makinës dhe nga sistemi TIMS. Njohje me Nuredin Dumanin nuk kam. Kam bërë veprime hetimore ndaj tij. Gjatë kohës që po hetoja nuk jam takuar kurrë me Nuredin Dumanin. Unë e kam nxjerrë në kërkim Nuredin Dumanin si person i dyshuar për vrasjen e Bujar Çelës. Henrik Hoxhaj e njoh kur është kapur dhe ka dalë në media. Më kanë informuar nga eprorët e mi se me telefonin e Nuredin Dumanit është gjetur fotoja jote. Më thanë që ke qenë në shënjestër të Dumanit, kaq më thanë. Hedh poshtë çdo lloj thënieje që ka thënë Nuredin Dumani.
Guçe u pyet edhe nëse kishte dhënë informacion për Erjon Alibej apo persona të tjerë të përfshirë në dosje. Ai i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje apo komunikim me persona të tillë dhe se ka vepruar gjithmonë si “oficer policie i ndershëm”.
Elda Zotaj: A i keni dhënë informacion Erjon Alibej apo të tjerëve?
Krenar Guçe: Hedh poshtë çdo pyetje aluduese. Jam një oficer policie i ndershëm. Nuk kam pasur kurrë të bëj me insinuata. Për kohën që pyesni unë kam qenë me regjim shtrati dhe kur këta pyesin a i kam dhënë kujt informacion, i hedh poshtë këto pyetje.
Elda Zotaj: Ju keni pranuar se e keni pyetur Alibej, a i keni treguar ju ndonjë informacion për ngjarje kriminale në Elbasan?
Krenar Guçe: U jam përgjigjur juve me ndershmëri.