
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurive të Ndue Gjergjit, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2020 si pasojë e një atentati me armë zjarri dhe familjarëve të tij. Dyshohet se 13 pasuritë e paluajtshme me vlerë 2,5 milionë euro, të Ndue Gjergjit, i cili njihet ndryshe edhe me emrin Paulin Marku, rrjedhin nga veprimtari kriminale. Konkretisht bëhet fjalë për 6 apartamente, 6 garazhe dhe një njësi me sipërfaqe 45.21 m2.
NJOFTIMI:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë paraqiti kërkesën për konfiskimin e të paktën 2.5 milionë euro pasuri të shtetasit N.Gj. i cili ka ndërruar jetë në vitin 2020 si pasojë e një atentati me armë zjarri dhe e familjarëve të tij, pasi u provua se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.03, të vitit 2023, në ngarkim të këtij shtetasi, rezultoi se i ndjeri ka qenë pjesë e një grupi kriminal i cili fushë kryesore të aktivitetit të tij kriminal kishte veprën penale ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’ parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Prokuroria provoi se shtetasi N.Gj., ka qenë nën hetim në Hollandë për veprën penale të ‘Pastrimit të parave’ ndërsa më parë ka qenë i arrestuar dhe i dënuar për drogë në Itali. Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, përsa i përket pasurive të shtetasit N.Gj. dhe familjarëve të tij, rezultoi se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se 13 pasuritë e paluajtshme i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale.
Bazuar sa më sipër, prokuroria vlerësoi se pasuritë e tij dhe familjarëve plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi N. Gj, ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale ″Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Pastrimi i parave” .
Për këtë arsye, prokuroria kërkon konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të mëposhtme:
1. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
2. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
3. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
4. Garazh me sipërfaqe 15.00 m2;
5. Garazh me sipërfaqe. 15.00 m2;
6. Garazh me sipërfaqe. 15.00 m2;
7. Garazh me sipërfaqe 15.00 m2,;
8. Apartament me sipërfaqe 617.84 m2;
9. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
10. Njësi me sipërfaqe 45.21 m2;
11. Garazh me sipërfaqe 15 m2;
12. Garazh me sipërfaqe 15 m2; dhe
13. Apartament me sipërfaqe 99.70 m2.
Paulin Marku, i njohur edhe me emrin Ndue Gjergji, para vrasjes ka qenë pjesë e një grupi kriminal i cili aktivitet kryesor kishte trafikimin e lëndëve narkotike. Më 2011, Marku ka dalë nga burgu ku ka qenë i arrestuar për drogë dhe është dëbuar nga Italia. Ndue Gjergji ndodhej në një lokal në Laç, mbrëmjen e 30 majit 2020 bashkë me shtetasin Bujar Hasani, i njohur edhe me mbiemrin Lika, kur u ekzekutuan me pesë plumba. Ngjarja u zbardh dhe ka autorë të arrestuar./ZËRI