
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg avokatin Radovan Çela. Ai akuzohet se ndërhyri në disa dosje mes tyre edhe ajo e “Toyota Yaris”. Avokati u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës më 5 mars, ndërsa sot doli para trupës gjykuese për t’u njohur me masën e sigurisë.
Çela ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke thënë se nuk ka pasuri llogari në “Sky ECC”. Avokati i tij, Isuf Shehu tha se kanë kërkuar masë më të butë sigurie, pasi nuk ka rrezik se klienti i tij do të arratiset apo të shkatërrojë provat. Por, GJKKO ka lënë në fuqi masën arrest me burg.
Avokati është pjesë e dosjes “Toyota Auris”, në të cilën janë të përfshirë edhe ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficerja e policisë gjyqësore pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda, Eriona Daupaj dhe Astrit Vladi. Të pandehurit akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve dhe lehtësuar të akuzuarit e dosjes së parë, të grupit që po kontrabandonte nëpërmjet linjës Angli-Belgjikë-Gjermani-Shqipëri rreth 3,4 mln euro cash, para që erdhën të futura në thasë e të fshehur në makina “Toyota Yaris”, që importoheshin dhe shiteshin në vendin tonë.
SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit. Hetimet ndaj tyre nisën mbi bazën e të dhënave nga SKY ECC që autoritetet franceze iu vendosën në dispozicion SPAK. Gjatë hetimeve u zbuluan komunikimet e të pandehurve për çështjet, ndërsa u pyetën dhe një numër i lartë gjyqtarësh e prokurorësh, si dhe njerëz të politikës, të cilët përmendeshin në komunikimet mes të pandehurve, por ndaj tyre nuk janë gjetur prova./ZËRI