
TIRANË- Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur aksionin e përvitshëm të shembjeve në jug të vendit. Sot, inspektorët të mbështetur nga efektivë të Policisë së Shtetit zbarkuan në Jalë, për të prishur disa objekte druri. Por hasën në rezistencën e pronarëve. Për shkak të përplasjeve dhe tensioneve, forcat e IKMT u tërhoqën nga terreni dhe u lanë kohë pronarëve të objekteve deri ditën e nesërme që të zhvendosen. Por edhe pse kanë marrë paralajmërim, banorët kanë kundërshtuar forcat e IKMT-së dhe Policinë duke paralajmëruar se nuk do të largohen.
“Ne paguajmë taksa. Nuk i lirojmë, kjo është vrasje. Merr pistoletën dhe qëllo. Po çfarë është kjo? Nuk i lirojmë. Hajde na shtypni. Na hoqët bukën e fëmijëve nga goja,”-thonë banorët në momentet e konfrontimit me Policinë.
Aksioni ka nisur mbrëmjen e së dielës, konkretisht në Jalë dhe në Dhërmi, nga ku u prishën katër objekte pa leje. Ndryshe nga sot, gjatë aksionit të djeshëm, pronarët e ndërtimeve pa leje nuk kanë bërë rezistencë. Fadromat dhe makineritë e rënda janë parë në disa zona turistike, duke ndërhyrë në struktura që sipas autoriteteve janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
Por kjo ndërhyrje ka shkaktuar shqetësim tek pushuesit dhe operatorët turistikë. Ndaj sot, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo ka pezulluar nga detyra mëngjesin e sotëm 5 punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Himarë. Shkak për vendimin mësohet se është bërë lejimi i një sërë ndërtimesh dhe objektesh pa leje në Drimadhë, Jalë dhe Dhërmi./ZËRI