
DURRËS- Për shkak të reshjeve të dendura të shiut situata paraqitet kritike në qytetin e Durrësit. Rrugët janë përmbytur dhe kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve por edhe në lëvizjen e këmbësorëve. Ministria e Mbrojtjes lajmëron se situata më kritike paraqitet në disa zona në qytet si: Shkozet, Ish-magazinat e Agrotransportit, Zona e Plazhit, Ish-Këneta, Stadiumi dhe Lagja “17 Nëntori” dhe Ura e Dajlanit.
Sipas Ministrisë, në terren po punon një eksavator për të pastruar kanalet në mënyrë që të bëhet i mundur qarkullimi i ujit. Ndërsa disa toka bujqësore janë përmbytur në Sukth.
"Për shkak të reshjeve të intensifikuara të shiut, në qytetin e Durrësit janë shfaqur disa problematika, të cilat po monitorohen dhe trajtohen nga strukturat përkatëse. Një eskavator i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit ka mbërritur në Kanalin e Ujrave të Larta për ndërhyrje dhe pastrimin e kanaleve. Ka rritje të nivelit të ujit në rrugë, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve si dhe prani të ujit në disa zona të qytetit si dhe në Shkozet, Ish-magazinat e Agrotransportit, Zona e Plazhit, Ish-Këneta, Stadiumi dhe Lagja “17 Nëntori”. Uji ka depërtuar gjithashtu në oborret e disa shtëpive në zonën e njohur si “Ura e Dajlanit” dhe Ish-Këneta. Niveli i ujit në Kanalin e Ujrave të Larta në unazën e qytetit ka arritur në një nivel kritik.
Po ashtu, ka prani të ujit edhe në sipërfaqe bujqësore në njësinë administrative Sukth. Strukturat vendore janë angazhuar për të riparuar pasojat e krijuara dhe po punojnë intensivisht për të menaxhuar situatën. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë të ndjekë situatën, për të koordinuar forcat deri në normalizimin e situatës", njofton Ministria e Mbrojtjes./ZËRI