
PËRRENJAS- Një ditë pas tragjedisë në fshatin Katjel të Prrenjasit, ku minatori Sajmir Bego ndërroi jetë brenda në galeri, autoritetet kanë nisur hetimet. Aktualisht janë proceduar penalisht 3 persona. Nën hetim janë: administratori i minierës, Gëzim Balla; drejtuesi teknik, Hysni Kllogjeri dhe përgjegjësi i turnit, Gëzim Kllogjeri. Ata akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
“Librazhd/Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur, në fshatin Katjel, ku gjatë punës në minierën e kromit ka rrëshqitur një masiv minerali, dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi S. B., 57 vjeç, grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë ka vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes. Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për administratorin e minierës, shtetasin G. B., 56 vjeç, drejtuesin teknik shtetasin H. K., 62 vjeç dhe përgjegjësin e turnit shtetasin G. K., 62 vjeç. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale,"-thuhet në njoftimin e Policisë.
Viktima, kryetari i sindikatës së minatorëve, ndërroi jetë pasditen e djeshme fill sapo kishte marrë turnin dhe ishte zënë poshtë nga një gur minerali./ZËRI