
BULQIZË- Minatorët e minierës së Bulqizës kanë bojkotuar punën këtë të martë, pas urdhrave të kompanisë për të punuar edhe ditën e shtunë. Minatorët shprehen se kompania i ka urdhëruar të punojnë edhe të shtunën, por kjo është në kundërshtim me kontratën e punës. Gjithashtu, ata kërkojnë rritje rroge, siç ishte planifikuar në fillim të muajit Janar, por kjo nuk ka ndodhur.
“Kërkojmë të drejtat tona. Rritje page dhe e shtuna jo punë. Në kontratë e kemi pasur jo, tani duan të na i bëjnë dy të shtuna punë. Rritje page jo, vetëm na shfrytëzojnë në maksimum. Kushtet e punës janë copë-copë. S’kemi kushte. Asnjë gjë. Kemi nisur protestën prej të mërkurës e kaluar. Sot është dita e 5-të. Nuk jemi dakord fare, po nuk ka plotësuan kushtet, po nuk na bërën rritje page dhe e shtuna të mos na miratohet për punë, nuk jemi dakord të fillojmë punën. Po na i plotësuan, do të fillojmë punë,”- ka thënë një nga protestuesit.
Minatorët e kompanisë Yıdırım Holding nuk janë lejuar të grumbullohen, ku si formë proteste janë duke bojkotuar punën./ZËRI