TIRANË- Seanca në Apelin e Posaçëm për dosjen "Meta" është shyrë sërish këtë të premte. Në seancën e sotme do të shqyrtohej kërkesa e ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj tij. Mësohet se seanca e radhës do të mbahet më 23 tetor.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani ka dhënë një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të GJKKO-së, pas shtyrjes së seancës, nga ku deklaroi se çështjen do ta dërgojë në Strasburg.
“Ne nuk presim nga gjykatat shqiptare, janë të kapura. Do e çojmë në Strasburg, kjo është arsyeja pse Ilir Meta nuk paraqitet në Gjykatë”, tha ai.
Ndërkohë, pyetjes nëse do e lirohë Metën nga qelia brenda muajit, ashtu siç deklaroi më 1 tetor, Cakrani u përgjigj:
“Po flas çfarë mendon zoti Meta. Unë e di shumë mirë pse mbahet zoti Meta në paraburgim. Problemi është që mua duhet të besoj, unë jam në betejën time ligjore, dhe unë do ti ezauroj të gjitha procedurat sepse armët e mia këto janë. Duke besuar te puna ime besoj se zoti meta duhet të lirohet. Duhet të kuptojmë ju jeni gazetarë më thoni një president në europë që mbahet në paraburgim, që pretendohet për akuza 20 vite përpara. Zoti Dumani pardje ka deklaruar se rrëmbimi, arrestimi i zotit Meta të linte për të dëshiruar”, tha ai.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI