Aktualitet

‘Mercenarë serbë, një vajzë merret me forcë...'! Policia sqaron: E pavërtetë, po nxisin konflikt nga ndjenjat nacionaliste

Policia sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër dhe shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale

F.I

‘Mercenarë serbë, një vajzë merret me

TIRANË-Policia e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kanë dalë me sqarime zyrtare lidhur me rastet e denoncuara mbrëmjen e djeshme (15 tetor) gjatë protestës së studentëve. 

Konkretisht në rrjete u pretendua se mercenarë serbë janë angazhuar për të arrestuar dhe dhunuar protestuesit në Tiranë. Policia e Shtetit rrëzon poshtë pretendimet për angazhimin e mercenarëve nga Serbia në protestë, për të kryer arrestime e dhunime në masë ndaj protestuesve. Në njoftimin zyrtar Policia i cilëson këto pretendime të pavërteta dhe dashakeqe, duke theksuar se synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të krijuar një klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.

Aludime pati edhe se policia serbe dhe persona të pa identifikuar po rrëmbenin vajza, duke publikuar video. Lidhur me këtë rast, Policia sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër dhe shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve të ndërmarra për identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimet e kundërligjshme gjatë protestës

REAGIM I POLICISË SË SHTETIT:

Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta në rrjetet sociale, përmes të cilave pretendohet se në radhët e saj janë angazhuar punonjës policie nga Serbia.

Përhapja e këtyre pretendimeve tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe synon të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit sqaron se në tubimin e datës 15.10.2026, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të Policisë së Shtetit, të planëzuar në shërbim në bazë të planit të masave. Pretendimi për angazhimin e punonjësve të policisë nga Serbia është tërësisht i pavërtetë.

REAGIM I DREJTORISË VENDORE TË POLICISË TIRANË

Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohet se disa civilë kanë shoqëruar me forcë një shtetase, Policia e Tiranës sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër.

Shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve të ndërmarra për identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimet e kundërligjshme gjatë protestës, pasi dyshohet se ky shtetas drejtonte tubuesit dhe gjuante me zare metalikë punonjësit e Policisë dhe institucionet.

Gjithashtu, në lidhje me pretendimet e publikuara në rrjetet sociale se punonjësit e Policisë kanë përdorur kavo metalike, Policia e Tiranës bën me dije se kavot e publikuara në media u janë kapur paraditen e datës 15.10.2026 katër të rinjve të maskuar, të cilët po shkonin në protestë për të goditur protestuesit. Policia e Tiranës nuk përdor të tilla mjete, pasi llojet e mjeteve që përdor janë të standardizuara me ligj dhe procedura standarde.

Ndërkohë, sqarojmë se një grup protestuesish të maskuar, në orët e mbrëmjes së datës 15.10.2026, kanë shkuar në Qendrën Studentore dhe kanë thyer xhamat dhe dyert e godinave të Qendrës Studentore në Qytet Studenti. Policia ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njëkohësisht, sqarojmë opinionin publik se asnjë punonjës policie nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka asnjë urdhër për ushtrimin e dhunës ndaj personave të shoqëruar.

Policia e Tiranës shpreh keqardhjen për përhapjen e këtyre lajmeve dashakeqe, me qëllim krijimin e një klime konfliktuale mes Policisë dhe protestuesve. Policia e Tiranës respekton dhe garanton të drejtën për të protestuar paqësisht dhe u bën apel pjesëmarrësve në tubime të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar, të cilët po sulmojnë punonjësit e Policisë, institucionet shtetërore dhe pronën publike e private.

Gjatë tubimit të datës 15.10.2026, si pasojë e dhunës, janë dëmtuar 22 punonjës policie. Gjithashtu, janë dëmtuar institucione, objekte private dhe bankare, si dhe është dëmtuar sinjalistika rrugore.

Policia e Tiranës po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë kryer akte dhune.

Poll

MOS HUMB