VLORË- Vlonjatët vuajnë prej pothuajse 5 ditësh mungesën e ujit, ndërsa dje dhe sot kanë dalë në protestë përpara Bashkisë të qytetit, ku dyert i kanë gjetur të mbyllura. Pas parashikimeve shpresëplota të deputetit të qarkut Ardit Bido se defekti do të zgjidhej sot, edhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (UKV) në Vlorë Ermal Murati, shpreson në Zot, se pjesët e këmbimit për tubacionin, do të mbërrijnë pasditen e sotme nga Turqia dhe Italia.
Në një prononcim për Top Channel, drejtori i UKV-së njofton se po punohet për zgjidhjen e situatës dhe se pritet që sot, në orën 17:00, të mbërrijnë materialet e porositura nga Stambolli dhe Italia për rregullimin e linjës së tubacionit.
“Ka ndodhur në mesnatë, më datë 25, dhe atë natë është bërë verifikimi, por për shkak të terrenit u vendos që ndërhyrja të bëhej të nesërmen. Janë vendosur dy pajisje që u mendua se do zgjidhnin situatën. Pajisjet e ndërrimit janë specifike; janë tentuar dy herë, por tentativat kanë dështuar. Materialet do të mbërrijnë, me ndihmën e Zotit, në orën 5 nga Stambolli dhe Italia, dhe do të bëhet ndërhyrja sonte. Do të bëjmë një përditësim më vonë dhe do të lajmërojmë qytetarët. Problemi ishte te tubacioni i linjës kryesore. Materialet janë specifike, i kemi gjetur, do të vijnë sonte dhe, me ndihmën e Zotit, do ta përfundojmë deri në darkë”, deklaroi drejtori Murati. Nga ana tjetër protestuesit dolën sot para Bashkisë, ku hodhën letra higjienike e vezë përpara godinës. /ZËRI