TIRANË-Ka përfunduar pas gjashtë orësh në GJKKO seanca paraprake gjyqësore ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi. Në seancën e sotme SPAK ka lexuar gjysmën e dosjes, 130 faqe nga 230 faqe që ka dosja, ku ka paraqitur aktakuzat dhe provat bashkangjitur.
Pas përfundimit të paraqitjes së aktakuzës dhe provave nga ana e SPAK, në seancat e ardhshme pritet që fjala t’i kalojë mbrojtjes. Ky proces është pjesë e hetimeve për çështjet që lidhen me aktivitetin e ish-presidentit dhe personave të tjerë të përfshirë në dosje, ku SPAK kërkon kalimin e saj në gjykim. Seanca është shoqëruar me tensione dhe debate mes ish-presidentit dhe prokurorit të çështjes, Sotir Kllapi. Avokati i Metës, Kujtim Cakrani në një prononcim për mediat, akuzoi prokurorin se nuk ka qenë i saktë në relatimin e fakteve dhe se kjo ka sjellë irritim gjatë seancës.
Kujtim Cakrani: Ka pasur tension mes zotit Meta dhe zotit Kllapi. Prokurori ka qenë i vetëm në seancë. Relatimi i tij ka qenë i pasaktë si në data, ashtu edhe në momente të ndryshme kohe dhe kjo ka sjellë ndërprerje dhe reagime të herëpashershme. Sot prokurori erdhi pa listën e provave. Nuk ka akuza konkrete për zotin Meta dhe zonjën Kryemadhi. Si mund të paraqitet një prokuror pa sjellë listën e provave ku bazohet akuza? ÇEZ-DIA nuk ekziston dhe edhe vetë prokurorët nuk janë të bindur për këtë çështje. Dy akuzat e tjera lidhen me lobimin dhe me pastrimin e produkteve të veprës penale, si dhe me deklarimin e rremë ose mosdeklarimin e pasurisë. Zonja Kryemadhi ka deklaruar që të gjitha veprimet dhe shpenzimet i ka kryer ajo. Ky fakt nuk mund të mohohet. Por për akuzat e tjera, përfshirë pastrimin e produkteve të veprës penale dhe ÇEZ-DIA, ne mendojmë se çështja do të pushohet.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara.
Skandali i CEZ/DIA
Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo fundit ia u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Më pas, në vitin 2013, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste, u bë edhe ndërprerja e kontratës që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.
Në fund të vitit 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë që drejtohej nga Damian Gjiknuri, kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish ministrat (Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë etj) dhe ish drejtorët e Berishës për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve dhe njohjen e borxhit të keq. Por Prokuroria e Përgjithshme e mbylli dosjen.
I vetmi i dënuar ishte Kastriot Ismailaj, pronari i Kompanisë DIA. Ish-administratori i DIA-s u vërtetua fajtor për akuzat penale “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”. Teksa kërkoi lirinë, ai paraqiti 132 prova të reja, për të cilat argumentoi se nuk kishte pasur mundësi t’i siguronte më parë. Megjithatë sipas Prokurorisë së Tiranës, biznesmeni Ismailaj i ka konsumuar veprat penale gjatë marrëveshjes CEZ-DIA, duke përfituar përmes mashtrimit një shumë prej 5 milionë euro. Pavarësisht kërkesave të tij të njëpasnjëshme për liri, ai u doli nga burgu në shtator të këtij viti, pas 9 vitesh burg./ZËRI