Aktualitet

'Emigrantët'! Ish-kryeministri italian në Gjadër: Të kthehet në qendër për të dënuarit shqiptarë nga Italia

Renzi u shpreh se kampi i Gjadrit duhet të përdoret si një qendër ku mund të vuajnë dënimin shqiptarët e dënuar nga drejtësia italiane.

F.I
'Emigrantët'! Ish-kryeministri italian në Gjadër:
Matteo Renzi

LEZHË-Ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi po zhvillon një vizitë në qendrën e pritjes së emigrantëve në Gjadër të Lezhës. Renzi u shpreh se kampi i Gjadrit duhet të përdoret si një qendër ku mund të vuajnë dënimin shqiptarët e dënuar nga drejtësia italiane. 

Ai ka akuzuar Melonin, teksa thotë se kampet e Gjadrit, nuk janë gjë tjetër veçse një propagandë e kryeministres. Kjo pasi sipas tij, nuk ka pakësuar numrin e emigrantëve. Ish-kryeministri i Italisë shprehet se paratë e italianëve në vend që të shkojnë për rrogat dhe pensionet po shkojnë dëm.

"Me anë të një marrëveshje me shtetin shqiptar, qendrat e Gjadrit dhe Shëngjin të kthehet në burg për shqiptarët të cilët vuajnë dënimin në Itali. Jemi këtu për të dhënë një mesazh të qartë. Këtë ide e kemi artikuluat edhe në Parlamentin italian. Me kaq para në Itali mund të bënim qindra qendra të tilla. Përveç miqësisë Meloni-Rama, cila është arsyeja që u ndërtuan këto qendra? Unë shikoj çështjet e buxhetit, këtu shteti italian humbi gati 1 miliardë euro nga buxheti i italianëve. Unë mendoj se këto para mund të ishin shpenzuar për pensionet dhe për pagat. Ky është opinion im. Ne jemi këtu për të dhënë një mesazh shumë të qartë, me propagandë politika ka konsensus por humbasin para dhe këto para janë të qytetarëve italianë”,-tha ai.

Sipas marrëveshjes me Italinë, të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor të vitit 2023, porti i zbarkimit të refugjatëve nga vendet e treta është Shëngjini, ku është ngritur qendra pritëse. Ndërsa në Gjadër është ngritur kampi ku emigrantët do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.

Deri më tani qendrat pritëse janë bosh, pasi në nëntor emigrantët, dhe pjesa më e madhe e policëve italianë, punonjësve socialë dhe organi drejtues i qendrave në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve u larguan nga Gjadri. Vendimi erdhi pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit./ZËRI

Poll

MOS HUMB