Aktualitet

Lirohet nga burgu ish-kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro lë qelinë pas 2 viteve izolim

Ai ka kryer 2 vite e 20 ditë burg, nën akuzën për shpërdorim detyre.

zh.ll
Lirohet nga burgu ish-kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro
Jorgo Goro

TIRANË- Ish-kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, është liruar nga burgu pas mbi 2 vite izolimi. Ai ka kryer 2 vite e 20 ditë burg, nën akuzën për shpërdorim detyre.

Jorgo Goro është arrestuar më 23 mars 2024 me urdhër të SPAK-ut dhe më pas me masa sigurie dhe vendime të GJKKO-së, në lidhje me dy raste “shpërdorim detyre”. Goro u kallzua nga Fredi Beleri me pretendimin se i ka dhuruar në vitin 2016 pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos 4263 metra sipërfaqe toke.

Më 13 mars, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 2 vite e 20 muaj heqje lirie, Jorgo Goron, pasi u gjet fajtor për veprat penale "shpërdorim detyre" dhe "tjetërsim të provave". Gjykata e Posaçme ka vendosur po ashtu 2 vite burg për ish-juristin në Hipotekën e Vlorës Vezir Gjikoka (me gjykim të shkurtuar 1 vit e 4 muaj) dhe 3 vite heqje lirie për Jerasimo Bashin (me gjykim të shkurtuar 2 vite burg). Ky i fundit (ish-Drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki) bashkë me Goron kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona. 

SPAK, në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë. Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. Ndaj rreth 10 mijë m2 tokë në zonën e Dhërmiut kaluan në favor të shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB