
TIRANË- Kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai bashkë me katër të pandehurit e tjerë akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal. Ndërsa e pandehura Vojsava Bregu për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Kryetari i bashkisë Devoll, akuzohet se ka licensuar një pikë karburanti e cila ishte ndërtuar pa leje. Ai është thirrur disa herë në SPAK për tu marrë në pyetje në lidhje me këtë çështje.
Në deklaratat e dhëna për gazetarët, është shprehur se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Leja për karburantin iu dha në vitin 2015 dhe autorizimi në vitin 2020 shoqërisë Genci Petrol”, sh.p.k., për të hapur një pikë shitjeje karburanti në Kapshticë. Mirëpo, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë në përfundimin se prej nënte vitesh janë realizuar përfitime të padrejta nga kjo pikë karburanti.