
TIRANË- Një 19-vjeçar është arrestuar pas protestës së Partisë Demokratike në Tiranë, ku tre policë mbetën të lënduar nga kapsollet e hedhura nga militantët. Ndërkohë tre të tjerë janë vënë në hetim.
Në momentin që Berisha u ngjit në podium për të mbajtur fjalën e tij, protestuesit kanë hedhur kapsolle dhe tymuese drejt Kryeministrisë. Kapsollet ranë mbi kordonin e policisë, që po mbronte godinën e Kryeministrisë. Si pasojë, tre efektivë janë lënduar. Efektivja e Policisë u lëndua në sy, ndërsa dy të tjerët janë dëmtuar në dorë dhe qafë. Të tre efektivët morën ndihmën mjekësore në spital.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera për identifikimin dhe kapjen e personave që hodhën lëndë piroteknike drejt punonjësve të policisë të planizuar me shërbim para Kryeministrisë më datë 08.02.2025, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, identifikuan dhe arrestuan shtetasin E. T., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë hedhur lëndë plasëse artizanale dhe lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të policisë të planëzuar me shërbim, ku si pasojë kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital 3 punonjës policie.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit O. Gj., 18 vjeç, A. D., 40 vjeç, D. C., 19 vjeç, të tre banues në Korçë dhe F. L., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Pas përfundimit të protestës është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të punonjësve të Policisë dhe selisë së Kryeministrisë, të cilat janë dërguar për ekspertim të mëtejshëm.
Vijon këqyrja e pamjeve filmike për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./ZËRI