TIRANË-Në ditët e fundit të afatit zyrtar të dorëzimit të dosjeve të kandidatëve për kreun e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, janë mësuar 4 emrat e parë, të cilët do të garojnë për të zënë vendin e Altin Dumanit.
I pari që ka dorëzuar platformën në KLP dhe tashmë është zyrtare rezuton të jetë prokurori dhe njëherësh shefi i seksionit kundër korrupsionit dhe “Shpërdorimit të detyrës” në SPAK, Klodian Braho.
Ky i fundit ka dorëzuar dokumentat qysh prej ditës së Premte. Ndërsa pritet që sot dhe në dy ditët në vijim të dorëzojnë kandidaturat tre prokurorët e tjerë të SPAK, si Adnand Xholi, i cili aktualisht mban postin e zv/drejtuesit të prokurorisë.
Në vijim të shpalljes së kandidaturës përmes dorëzimit të platformës, gazetari Elton Qyno shkruan se janë dhe dy prokurorët e tjerë, Elvin Gokaj që shërben pranë seksionit kundër korrupsionit dhe Doloreza Musabelliu që është pjesë e seksionit kundër krimit të organizuar në SPAK.
Aktualisht këta janë 4 prokurorët kandidatë, ndërkohë nuk dihet nëse deri në datën 8 Tetor 2025, lista do pasurohet me emra të tjerë kandidatësh.
Gara për kreun e ri të SPAK tashmë është hapur dhe kandidatët kanë afat deri në 8 tetor për aplikimin. Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 18 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar. Caktimi i kreut të ri të SPAK, ka vënë në lëvizje dy nga ambasadat kryesore në vend: SHBA dhe BE.
Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash./ZËRI
