
TIRANË- Agim Xhindoli është një nga biznesmenët më të rinj në vend që duket se kanë nisur të futen fuqishëm në tregun e tenderave publikë. Edhe pse i futur rishtazi në treg në krahasim me të tjerë, biznesmeni kishte rrëmbyer vëmendjen e kryeministrit Edi Rama, i cili e ftoi edhe në podcastin e tij. Asokohe, Xhindoli kishte vetëm një kompani, atë të "PERPUNIM MERMER GRANIT (Ish Serena Servis)". Gjatë gjithë bisedës me të parin e qeverisë, Xhindoli u etiketua nga kryeministri si “biznesmen i djathtë”.
Ndërsa Xhindoli nga ana e tij tregonte sesi kishte ngritur një biznes në nivel ndërkombëtar me gurin dhe mermerin dhe ka 110 të punësuar, ndërsa duke folur për pagat në fabrikën e tij dhe trajtimin e punëtorëve, Xhindoli tha se ka pagat konkurruese me Evropën.
“Ne si kompani kemi 3 gjëra që i kemi të shenjta që janë paga e punëtorit, kësti i kredisë dhe data e dorëzimit të porosisë tek klienti,”- shtoi ai.
Përveç kësaj kompanie, në vitin 2021, ai krijon kompaninë "MX", me objekt: Import-Eksport, tregti me shumice dhe pakice te gjithe materialeve industrial, minerale,farmaceutike dhe bujqesore.Perpunim I mbetjeve urbane dhe industriale.
Por "boom-in" e suksesit duket e ka pasur në vitin 2022, duke hapur edhe 4 kompani të tjera; 1 në muajin maj dhe 3 të tjera në korrik.
Maj 2022/ BRATAJ STONE 22- Aktivitet ne fushen e shfrytezimit, prodhimit, perpunimit dhe tregetimit te lendeve minerare. Shfrytezim kavash minerale. Prodhim, përpunim dhe tregtim te lendeve minerare. Import eksport i lendeve minerare, Punime mermeri. Punime guri. Shfrytezime inertesh.
22 korrik 2022/ MX- Import-Eksport, tregti me shumice dhe pakice te gjithe materialeve industrial, minerale,farmaceutike dhe bujqesore.Perpunim I mbetjeve urbane dhe industriale.
25 korrik 2022/ 5GX ENERGY- Prodhim i energjise elektrike nga impiante gjeneruese fotovoltaike, eolike, hidrike, etj, si dhe tregtim i energjise elektrike. Implementimi dhe menaxhimi i projekteve gjeneruese (fotovoltaike, eolike, hidrike) te energjise elektrike, te cilat shfrytezojne burimet e rinovueshme te energjise si dielli, era, uji, si dhe i veprave te tyre ndihmese.
29 korrik, 2022/ PARK SOL ENERGY
Thuajse një vit pas themelimit të kompanisë "5GX Energy", pa ndonjë eksperiencë të mëparshme, ai merr leje nga Këshilli i Ministrave për të ndërtuar një park fotovoltaik në fshatin Allprenaj të Lushnjes. Tokë të cilën e ka marrë me vlerën 28968 lekë për ha. Edhe pse tenderin e ka marrë tashmë, sërish asokohe "Open Procurement", e kishte sinjalizuar me flamur të kuq. Kjo për shkak se në garë ishte vetëm kompania e biznesmenit nga Lushnja. Praktikisht, ai ka fituar ndaj vetes.
Por garën dhe fitoren ndaj vetes e ka pasur edhe në raste të tjera. Veçse me kompaninë "PERPUNIM MERMER GRANIT SHPK". Në vitin 2016, ka marrë tender për memorialin e ish të përndjekurve në Savër dhe memorialin Loni Dhamo. Duke qënë se edhe në këtë tender ishte garuesi i vetëm (edhe ky tender me flamur të kuq), edhe ofertën e bëri sa e pa të arsyeshme. Nga fondi limit prej 3 708 330,00 lekësh, ai ofroi 3 708 300,00...dhe fitoi. Pra i ka kursyer shtetit disa qindrarka. Ndërsa për tenderin në Vlorë, ka kursyer pak më pak.
Tashmë i fokusuar tek "energjia e gjelbër", në nëntor të vitit 2024, ai shfaqet në krah të kryebashkiakes së Lushnjes, Eriselda Sefa. Të dy, siç duket edhe nga fotot e publikuara në rrjetet sociale asokohe, inspektonin disa punime rrugësh. Po, rrugësh! Kompania përveç ndërtimit të parqeve shpjegon në objektin e saj se për të realizuar objektivat që ka, marrin përsipër edhe ndërtime civile, ekonomike, veshje me asfaltobeton të rrugëve, etj.
"Bashkë me sipërmarrësin e njohur të qytetit tonë Agim Xhindoli pamë nga afër rehabilitimin e trotuarëve në rrugën "Ferit Vokopola" me gjatësi prej 480 metra dhe me gjerësi 2 metra në të dyja anët e saj. Punimet e kryera nga Shoqëria 5GX Energy Sh.P.K. është bërë në unifikim të projektit për rehabilitimin e përroit të qytetit. Investimi u realizua në zbatim të lejes së infrastrukturës marrë nga kjo Shoqëri, por veç detyrimit kontraktual dua të veçoj përgjegjësinë sociale të z.Xhindoli për të kontribuar me sipërmarrjen e tij me disa iniciativa në funksion të infrastrukturës publike!,"-shkruante në postimin e saj kryebashkiakja. Por vetëm si e tillë nuk dukej në postimet që kishte ndarë me ndjekësit e saj. Nga mënyra e qëndrimit, dukej sikur në fakt është Xhindolli ai që drejton dhe është i pari i qytetit sesa Sefa. Nëse dikush nuk do ta dinte postin që ajo mban për një mandat të dytë tashmë, duket sikur ajo raporton para tij për investimin që Xhingolli vetë e ka marrë përsipër që të kryejë; e që në radhë të parë e ka detyrim.
Mesa duket, për 480 metër rrugë, është e nevojshme!/ZËRI