Aktualitet

Kryemadhi shfaqet me nxitim në hyrje të GJKKO: Do thonë pastaj që nuk je paraqitur në orar…

Avokati mbrojtës i Metës, është shfaqur optimist në media, për lirimin e ish-presidentit, kur tashmë ka kaluar më shumë se 1 vit nga arrestimi i tij

E.K
Kryemadhi shfaqet me nxitim në hyrje të GJKKO: Do thonë pastaj
monika kryemadhi ne gjkko

TIRANË- Do të mbahet sot në Gjykatën e Posaçme seanca në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi. Kjo e fundit është shfaqur duke nxituar në hyrjen e Gjykatës së Posaçme, ndërsa komentoi shkurtimisht për gazetarët.

“Do thonë pastaj që nuk je paraqitur në orar, se më njoftuan hajdeni me vrap”, tha Kryemadhi përpara se të hynte në GJKKO.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i cili u paraqit i pari në GJKKO, u pyet në lidhje me seancën që do të mbahet.

-Do të shtyhet avokat? 

Kujtim Cakrani: Se di të shikojmë, them se po.

-A do të dalë sot? 

Kujtim Cakrani (nuk përgjigjet).

Rreth një javë më parë GJKKO rrëzoi kërkesën e Ilir Metës  për shuarjen e masës së sigurisë. Avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se gjykata krijoi precedent të rrezikshëm me zotin Meta. Sipas tij janë ezauruar afatet për qëndrim në paraburgim.

Cakrani u shpreh nuk ekziston asnjë rrezik që Ilir Meta të ndikojë apo të prishë provat në këtë fazë të procesit, duke argumentuar se çdo masë sigurie tashmë është e pajustifikuar.

Ai akuzoi sistemin gjyqësor për mungesë të verdikteve të pafajësisë dhe për kthimin e sallave të gjyqeve në “toga pushkatimi”.

SPAK mbylli hetimet për Kryemadhin dhe Metën më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI

Poll

MOS HUMB