
SHKODËR- Një rast i rëndë i ndotjes së mjedisit është raportuar në rrjetet sociale, ku furgoni i kompanisë “Driza” është filmuar duke shkarkuar” mbetjet e pularisë në liqenin e qytetit. Në video duket furgoni i kompanisë “Driza" teksa ka hapur dyert e pasme nga ku një punonjës hedh në liqen mbetjet. Policia e kontaktuar nga ZËRI, njoftoi se ka vendosur në pranga punonjësin e kompanisë, për veprën penale "Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës".
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një automjet me logon e një kompanie, nga i cili hidhen mbetje në lumin Buna, sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë kryer veprimet hetimore për rastin dhe kanë identifikuar shtetasin K. Gj., i cili shfaqet në video, duke hedhur nga automjeti në lumë, mbetje të kompanisë ku ai punon, e cila ka si veprimtari përpunimin e mishit të pulës.
Në përfundim të veprimeve për rastin, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në penal për shtetasin K. Gj., 31 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale "Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës".
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër falënderon mediat dhe qytetarët, për denoncimet dhe bashkëpunimin me Policinë, dhe i fton ata që të vijojnë të denoncojnë rastet e dhunës dhe të çdolloj paligjshmërie, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm.
Gazetari dhe ambientalisti Mentor Kikia ka reaguar i revoltuar dhe kërkon që Prokuroria të nisë menjëherë hetimet për këtë ngjarje të rëndë.
REAGIMI:
Të ndëshkohet ky njeri e kjo kompani!
Unë nuk do të ndaloj së publikuari çdo ditë këtë video, derisa të dale lajmi që ky palaçoja dhe kjo kompania të jenë dënuar nga inspektoriatet, dhe prokuroria të ketë hapur një procedim ndaj këtij maskarallëku.
Po pastron makinën ky!
E pra, të dielën, ne me një grup prej 50 vullnetarësh do shkojmë të pastrojmë një zonë në shtratin e lumit Vjosë.
Po ku dhe çfarë të pastrosh?
Do shkojmë në BE ne, në 2027 do e mbyllim e kapitullin e mjedisit?
Ec e bëje atje këtë gjë, po nuk ta bënë gropën me gjithë pula e me gjithë glasa, plehrat.
Shperndajeni këtë video, derisa shteti të reagojë.
Boll na e qelbën këtë vend.
ZËRI ka kontaktuar edhe me kompaninë “Driza" në lidhje me rastin dhe si veprohet me mbetjet e pulave, por ende nuk ka një përgjigje./ZËRI