TIRANË- Gjykata e Lartë rrëzoi këtë të enjte rekursin e Ilir Metës për lirimin nga qelia dhe zëvendësimin e masës së sigurisë. Ish-presidenti kërkon ndryshimin e masës së sigurisë nga arresti me burg në një masë më të butë.
Vendimi:
GJKKO 61007-00535-00-2025 ILIR METAJ Neni 246/6 dhe 260 i K.Pr.Penale. Mospranimin e rekursit të kërkuesit/të pandehurit Ilir Metaj, kundër vendimit nr. 165 (87-2025-253), datë 17.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI