TIRANË-Në 5-vjetorin e SPAK, përmes zv.ndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor, Departamenti Amerikan i Shtetit, përcolli mesazhin për nevojën e zgjatjes së mandatit 9-vjeçar të prokurorëve të posaçëm. Aleksandër Kasanof u shpreh se prokurorët e SPAK duhet të lejohen të aplikojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual.
“Për të siguruar që SPAK të vijojë në të ardhmen luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit besojmë se prokurorët e SPAK duhet të lejojnë të aplikojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Dështimi për të realizuar këtë, rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të sukseshme kundër krimit të organizuar e korrupsionit në historinë shqiptare,"- deklaroi Kasanof.
Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor garantoi se SHBA do të vijojë të mbështesë reformën në drejtësi por dhe punën e SPAK, ndërsa kujtoi se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm detyrë e SPAK.
"Institucionet e tjera shqiptare duhet të tregojnë guxim e të veprojnë me pavarësi e integritet. Lufta kundër korrupsionit është detyrë e cdo qytetari shqiptar pavarësisht se ku punojnë apo kë njohin,"-u shpreh ai.
SPAK nisi punën në vitin 2019 dhe është kthyer në një nga institucionet kyçe të reformës në drejtësi. Në këto pesë vite, SPAK ka treguar angazhim të pandërprerë për të ndjekur penalisht bosët e krimit dhe figurat e larta të korruptuara, duke sjellë përpara drejtësisë emra të rëndësishëm jo vetëm nga bota e krimit, por edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë./ZËRI