Aktualitet

Kërcënimet ndaj gazetarëve! Myzyraj dhe Çipa: Politika dhe krimi po rrezikojnë lirinë e medias

Ndërsa Çipa e vendos këtë zhvillim në një kontekst më të gjerë, duke e lidhur me rritjen e korrupsionit dhe tensionet politike.

Loreta Koleci
Kërcënimet ndaj gazetarëve! Myzyraj dhe Çipa: Politika dhe
Isa Myzyraj dhe Aleksandër Çipa

TIRANË- Rasti i gazetarit Sami Curri, të cilit iu dogj makina në Bulqizë, rikthen në vëmendje një fenomen shqetësues. Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk janë më raste të izoluara, veçanërisht gjatë muajve të fundit, ku disa gazetarë kanë publikuar mesazhe kërcënuese që u vijnë në inbox-in e tyre. Kërcënimet vijnë për shkak të punës së gazetarëve dhe temave që ata trajtojnë, sidomos temave investiguese.

Këtë panoramë e konfirmon edhe raporti i fundit i Reporterëve Pa Kufij, ku Shqipëria këtë vit ka rënë tre vende më poshtë se viti i kaluar, duke u renditur e 83-ta në tabelë. Në raport theksohet se media ndikohet nga politika dhe interesat ekonomikë, ndërsa gazetarët përballen me presion, intimidim dhe mungesë informacioni.

Pyetja që duhet të ngremë është: pse qasja ndaj gazetarëve është bërë kaq e dhunshme në vendin tonë?

Për të kuptuar klimën aktuale, por edhe vështirësinë e përditshme të gazetarëve në punën e tyre, ZËRI pyeti kreun e Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Isa Myzyraj, dhe kreun e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa. E ndjekim!

Z. Myzyraj, duke u nisur nga rastet e fundit të gazetarëve të kërcënuar me jetë, si e vlerëson Asosacioni i Gazetarëve situatën aktuale dhe klimën në të cilën punojnë gazetarët?

“Situata është padyshim shqetësuese. Rasti i fundit është djegia e makinës së kolegut tonë Sami Curri në Bulqizë, dhe ne kemi bërë thirrje dhe i bëjmë thirrje autoriteteve që të përshpejtojnë hapat për hetimin dhe zbulimin e autorëve të kësaj ngjarje. Në rrafshin politik, situata vijon edhe duke u përkeqësuar. Ne kemi nga njëra anë Kryeministrin e vendit i cili përmend me emra pronarë mediash duke i akuzuar ata, dhe nga ana tjetër kemi liderin e opozitës i cili ditë pas dite e shpall median si organizatë kriminale dhe e keqja e këtij vendi. Këta dy faktorë, që janë shumë të rëndësishëm në perceptimin e qytetarëve për median, padyshim e kanë bërë Shqipërinë, e bëjnë çdo ditë e më shumë një terren më të vështirë për gazetarët.”-tha Myzyraj.

Nga ana tjetër, edhe kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë ndalet te sfidat, që për të nuk vijnë vetëm nga jashtë, por edhe nga vetë struktura dhe zhvillimi i medias në vend.

“Padyshim e vlerësojmë si një gjë serioze dhe shqetësuese, sidomos për entitetin e gazetarëve profesionistë. Sepse duhet të jemi të sinqertë, aktualisht komuniteti i gazetarëve shqiptarë ka një heterogjenitet negativ. Një pjesë e mirë e të rekretuarve në mediat e reja kryesisht janë persona ekstra-profesionistë që vijnë nga një mospërgatitje, nga një mungesë kualifikimi, nga një mungesë e dijeni dhe njohjes së parimeve dhe normave për gazetarinë raportuese. Dhe në shumicën e rasteve në mediat e reja kemi problemin serioz të përdorimit dhe keqpërdorimit të tyre nga grupe interesi, nga kategori letë themi ekstra-mediale dhe entitete edhe të dyshimta. Dhe këto janë problemet serioze të cilat në fakt arrijnë që ta indeksojnë negativisht lirinë e gazetarisë në Shqipëri.”- tha Çipa.

Reporterët Pa Kufij kanë publikuar raportin e indeksit botëror për lirinë e shtypit, ku Shqipëria ka rënë tre vende krahasuar me vitin e kaluar. Si ndikon kjo në terrenin e përditshëm?

Rënia në indeksin e lirisë së shtypit, sipas Myzyrajt, nuk është thjesht statistikë, por një reflektim i drejtpërdrejtë i realitetit mediatik.

“Padyshim, është lajm i keq sa herë raportet ndërkombëtare e ulin Shqipërinë në indeksin e lirisë së shtypit. Pra, klima e sigurisë së gazetarëve dhe mediave është duke u përkeqësuar. Shqetësuese janë edhe gjetjet e tjera të Reporterëve Pa Kufij, siç është presioni direkt ndaj gazetarëve nga autoritetet politike: mazhoranca dhe opozita, thekson raporti, por edhe krimi i organizuar. Pra jemi në pikën që thuhet e zezë mbi të bardhë që krimi i organizuar ndikon drejtpërdrejt tek gazetarët. Ndaj ne nuk mund të jemi as të qetë e as nuk mund të pretendojmë për integritet të lartë të informacionit.”- tha Myzyraj për ZËRI-n.

Ndërsa Çipa e vendos këtë zhvillim në një kontekst më të gjerë, duke e lidhur me rritjen e korrupsionit dhe tensionet politike.

“Raportet periodike që indeksojnë nivelin e korrupsionit në Shqipëri, në të njëjtën kohë tregojnë rritjen e korrupsionit. Dhe sa herë rritet korrupsioni, detyrimisht ka probleme me lirinë e shtypit, me lirinë e raportimit. Dhe kjo është e lidhur me këtë si efekt, sepse grupet e interesit dhe kahet politike në përballje me njëri-tjetrin kanë rikthyer agresivitetin verbal dhe jo vetëm verbal, por politik.”- tha kreu i UGSH-së, Aleksandër Çipa.

Klima e përgjithshme tashmë në Shqipëri për gazetarët është e dhunshme. Nga mendoni se buron gjithë kjo dhunë?

Isa Myzyraj:Pikë së pari, dhuna ndaj gazetarëve prodhohet nga retorika qeveritare. Dhe së dyti, opozita është gjithashtu me një retorikë mjaft të ashpër ndaj gazetarëve edhe mediave. Ndaj burimi, unë mendoj i gjithë kësaj klime është pikë së pari politika dhe pastaj janë edhe faktorët e tjerë siç është faktori i krimit të organizuar. Kemi depërtim të krimit të organizuar direkt te gazetarët dhe kjo është padyshim shqetësuese. Pse është shqetësuese? Sepse krimi i organizuar tashmë i di dhe i njeh gazetarët me emra, ua gjen numrat e kontaktit, ua gjen se ku banojnë dhe me kë banojnë dhe arrin t'i kërcënojë ata. Ndaj që situata sigurisht që është shqetësuese.”

Aleksandër Çipa: “Mendoj se janë probleme të ndërsjella. Edhe vetë brenda entitetit tonë ka probleme. E para është bjerë cilësia e raportimit, besueshmëria publike, ndërgjegjja dhe kultura faktologjike e raportimit. Ka probleme serioze me ndjekjen në mënyrë rigoroze dhe kronike të një çështjeje të abuzimit, por përkundrazi, në një moment të caktuar kur një medium e ekspozon korrupsionin apo abuzivizmin, mund të ndodhë ndërhyrja e dyshimtë apo qoftë edhe komprometuese dhe ndryshon qasja e raportimit. Sa herë çështjet ndërpriten, ka diçka që duhet dyshuar. Dhe në raste të tilla, inteligjenca e opinionit të ndëshkohet.”

Në një realitet ku kërcënimet, presioni politik dhe ndikimi i krimit të organizuar po bëhen gjithnjë e më të dukshme, gazetaria në Shqipëri përballet me një sfidë thelbësore: të mbijetojë si një profesion i lirë dhe i pavarur. Mes një klime të tensionuar dhe një besimi publik në lëkundje, siguria e gazetarëve dhe integriteti i informacionit mbeten në provë të vazhdueshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB