Aktualitet

Kamarieri u rrah për një bidon ujë në Vlorë, vëllai i policit tregon versionin tjetër: Nuk e qëlloi Ardiani, personi tjetër...

Ai ka mohuar përfshirjen e vëllait të tij, teksa kërkon publkimin e pamjeve të plota, pasi sipas tij situata mund të shpjegohet ndryshe.

zh.ll
Kamarieri u rrah për një bidon ujë në Vlorë,
Pamje nga ngjarja

VLORË- Një ngjarje e regjistruar në Vlorë dy ditë më parë, ku një kamarier 18-vjeçar u dhunua nga ish-shefi i qarkullimit ka tronditur opinion publik, teksa ka shkaktuar reagime të shumta. Lidhur me ngjarjen, ka reaguar vëllai i policit të përfshirë në incident, Ardian Isufi, efektiv i Policisë së Shtetit. Ai ka mohuar përfshirjen e vëllait të tij, teksa kërkon publkimin e pamjeve të plota, pasi sipas tij situata mund të shpjegohet ndryshe. Vëllai i efektivit, Flamur Isufi, thotë se Ardiani nuk e ka goditur 18-vjeçarin, madje sipas tij, ai i ka kërkuar të jetë i kujdesshëm me klientët. Ai sqaron se kamarieri është goditur nga personi tjetër që ka qenë ulur me Ardianin, ndërsa thotë se më pas ata janë sqaruar dhe ndarë pa problem edheme babain e 18-vjeçarit. 

“Ju keni parë një pjesë të kamerave. Ai gazetari t’i nxjerrë të gjitha pamjet. Unë nuk kam qenë prezent por çfarë më ka thënë vëllai: Ai ka qenë pushim. Ka shkuar te lokali për të pirë një kafe. Në tavolinë ka gjetur edhe një person tjetër që e ka ftuar në lokal. Janë ulur për të pirë një kafe dhe një ujë dhe nuk është bërë sherr për ujin, se nuk zihen njerëzit për ujin. Vëllai im i kërkon një bidon ujë të madh dhe një kafe. Të mos futemi në detaje, por ai i sjell dy bidonë dhe me të qeshur i thotë “pijeni dhe këtë”. Nuk kam qenë aty që të ta shpjegoj me detaje. Sjellja e kamerierit ka irrituar personin në krah të vëllait tim. Vëllai im, për të shmangur konfliktin është ngritur dhe i ka thënë “ik andej, se duhet të sillesh mirë, je i vogël”. Unë nuk kam qenë aty, por kamerat i ka lokali.

Personi që godet kamerierin nuk është vëllai im. Vëllai im çohet nga tavolina dhe i thotë kamerierit të jetë i kujdesshëm me klientët. As e ka sharë, as e ka goditur. Personi që është irrituar është personi tjetër. Kamerieri, në bisedë, në konflikt me zotërinë. Vëllai im u fut. Në këtë moment i thotë “Pse çfarë është ai?”. Janë ulur në tavolinë me babanë e djalit, kanë folur, janë ndarë si miq. Edhe me menaxherin e lokalit nuk kanë pasur ndonjë problem. Se vëllai im, duke qenë 15 vjet oficer policie, e di shumë mirë se si mund t’i shmanget një konflikti”, tha Isufi në “Off the Record” me Andrea Dangllin.

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në Vlorë, si shkak i një shishe uji. Kamarieri 18-vjeçar, kishte çuar në tavolinën ku ndodheshin autorët një shishe uji më shumë se porosia. Kjo ngjarje ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa kërkohet drejtësi për të riun dhe ndëshkim për autorët e dhunës. Mbi rastin ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar që autori të dalë përpara drejtësisë dhe të përjashtohet përjetësisht nga Policia e Shtetit. Kamarieri është dhunuar nga Ardian Isufi, efektiv policie jashtë detyrës dhe ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, së bashku me Leart Bimon, person me të kaluar kriminale në prani të klientëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB