Aktualitet

“Ju tregoj si më shiti kolegu pas operacionit në fushat e kanabisit”/ Flet polici në Shkodër, lufta mes krimit dhe korrupsionit

Nga viti 2020 deri në vitin 2024 në Policinë e Qarkut të Shkodrës janë kryer 13 atentate që kanë pasur si shënjestër policët, ngjarje të dyshuara për shkak të detyrës.

k.m.
“Ju tregoj si më shiti kolegu pas operacionit në fushat e
Pamje nga intervista

SHKODËR- Krimi nuk godet vetëm krimin, por edhe Policinë e Shtetit. Në vorbullën e luftës mes grupeve kriminale, e gjejnë veten shpeshherë policët që duhet të mbrojnë rendin dhe të bëjnë detyrën sipas ligjit. Por përveç vështirësive të përditshme të punës, kërcënohen edhe nga eksponentë të krimit.

"Inside Story" ka trajtuar piksërisht këtë fenomen!

Nga viti 2020 deri në vitin 2024 në Policinë e Qarkut të Shkodrës janë kryer 13 atentate që kanë pasur si shënjestër policët, ngjarje të dyshuara për shkak të detyrës. Nisur nga mënyra e realizimit të atentateve, duket se metoda më e preferuar që ka zgjedhur krimi është ajo me lëndë plasëse dhe kjo e ka një arsye. Duke përdorur eksploziv, autori është i vështirë për t'u gjurmuar. Por efektivët nuk ruhen vetëm nga krimi, por edhe nga kolegët. Një prej tyre, në kushte anonimati ka treguar prapaskenat. Polici në fjalë, i gjendur përballë frikës se në një të ardhme të afërt mund të ketë fatin e kolegëve të tij, ka vendosur të flasë dhe të adresojë problematikat që kanë mbërthyer Policinë e Shkodrës. Shpesh, të dorëzuar nga lidhjet e zgjatura të bandave brenda këtij institucioni.

Shumë shkurt, atentatet bëhen sepse shiten policët. Atentatorët diku marrin informacion, sepse është e pamundur që ata ti njohin të gjithë policët. Atentatet janë bërë ndaj policëve në sektorë të ndryshëm, OPGJ, patrulla, shqiponja, krime madje dhe ndaj rrugores. Kjo do të thotë se ata marrin infromacione diku, madje shumë të sakta. Dikush i shet policët. Policët shiten nga kolegët e tyre. Eshtë e pamundur që një epror që vjen nga rrethet të ketë dijeni për të gjithë policët, për punën, për lidhjet, për banesat, etj. Policet shiten nga kjo strukture e kalbur që janë disa policë, që kanë vite në punë dhe që janë të lidhur me krimin dhe kriminelët. Janë ata policë që nga njëra anë e mbajnë mirë me shkelësit e ligjit dhe nga ana tjetër u lepihen eprorëve për të mos i transferuar. Kështu tërhiq e mos e këput krijojnë dhe balanca financiare. Atentati më i rëndë ishte ai ndaj kolegut Gjergj Ndershtiqaj. Një SPZ ka informacion për çdo gjë që ndodh në zonën që mbulon, qoftë ndërtim pa leje, qoftë person në kërkim, qoftë dhe parcela me kanabis. Një SPZ mbron personin në kërkim duke i thënë ik se sot do vijmë kontroll banese, mos dil se ka kontrolle deri dhe mbille këtu se nëse të vjen avioni, me koordinatat e Guarda di Finanza, t’i shkulim 10 bimë e t’i bëjmë foto dhe pjesën tjetër mbaje. Një polic me 6 muaj punë nuk e njeh zonën, nuk e njeh territorin dhe nuk ka gjë në dorë, por shiten dhe çohen viktima duke u bërë mbulesë, mashë, për tradhtarët e vërtetë. Kemi frikë nga kolegët. Frikë nga frikacakët që për të kërcënuar punonjësit e policisë terrorizojnë familjet tona. Çfarë faji kanë familjet tona? Kemi frikë nga ato fytyra, kolegë, që të nesërmen e atentatit vijnë e të qurraviten duke na ngushëlluar, ndërsa një ditë më pare na kanë shitur te kriminelët duke i dhënë informacione se ku banojmë, ku pimë kafe madje dhe itinerarin se ku lëvizim,”- u shpreh polici.

E gjitha vjen pasi Policia e Shkodrës ka intensifikuar luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike në veri të vendit. Zonat e thella të Malësisë së Madhe, Dukagjini dhe Shala kanë qenë gjithmonë një vatër e nxehtë për uniformat blu. Aksione të shumta dhe të shpeshta ka patur vitet e fundit në këtë drejtim. Bimët e mbjella janë kapur dhe asgjësuar me mijëra, por pronarët e vërtetë të këtyre parcelave nuk gjenden thuajse asnjëherë./ZËRI

Poll

MOS HUMB