
TIRANË- Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dëshmuar sot para prokurorëve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për më shumë se një orë, ish-ministri është pyetur si person në dijeni për çështjen e 21 janarit, ditë kur në protestën e opozitës u vranë 4 persona. Tahiri është thirrur nga prokurori i SPAK, Alfred Shehu. Pasi ka dalë nga ambientet e SPAK, Tahiri ka ndaluar që të sqarojë para mediave se përse ishte thirrur nga SPAK.
"U pyeta si person në dijeni dhe kallëzimin që kam bërë në vitin 2015. Edhe sot u qëndroj atyre deklarimeve që janë publike. U pyeta për rolin që kam pasur më 21 janar. Unë kam qenë protestues si gjithë të tjerët,"-tha Tahiri.
Një ditë më parë, për të njëjtën çështje, u thirr edhe deputeti socialist Xhemal Qefalia, i cili u pyet si person në dijeni në lidhje me këtë dosje.
SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI