TIRANË- Ish-presidenti Ilir Meta ka përfunduar dëshminë e tij në SPAK për çështjen e "21 Janarit". Raportohet se në seancën që zgjati më shumë se 3 orë, Meta është pyetur nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të vendosur nga prokurori i dosjes, Alfred Shehu. Burimë bëjnë me dije e Meta, në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, ka folur për një skenar të parapërgatitur.
Konkretisht raportohet se Meta ka deklaruar se amerikanët dhe shërbimet inteligjente ishin në dijeni të skenarit të dhunshëm të organizuar nga Edi Rama, për të patur viktima që ti jepej një kauzë. Lidhur me provat që ai disponon apo ka dijeni, ish-kreu i PL orientoi organin hetues të kryejë kontrolle dhe të sekuestrojë materialet që ndodhen pranë institucioneve përkatëse (ka dhënë emra konkret) dhe që konsiderohen të klasifikuara. Emrat e personave të cilët Ilir Meta ka përmendur para hetuesve nuk bëhen të ditur, ndërsa hetimet pritet të zgjerohen.
Gjatë muajit nëntorit vetë ish-presidenti kërkoi përmes avokatit të tij që të dëshmojë si person që ka dijeni për ngjarjen e vitit 2011. Në kërkesën e dorëzuar në SPAK, Meta arsyeton se duhet të pyetet pasi sipas tij ‘ka dëshmi që nuk janë të njohura nga organi i procedurës'.
Më 21 Janar 2011, Meta ka qenë zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës. Pas protestës, Meta u largua nga detyra si zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm pas publikimit të videos me ish-deputetin e ndjerë Dritan Prifti, ku bëhej fjalë për një korrupsion prej 700 mije eurosh. Së fundmi në Prokurorinë e Posaçme janë thirrur për të dëshmuar dhe ish-ministri i Brendshëm i asakohe Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI