
DURRËS- Një sasi eksplozivi është gjetur mbrëmjen e djeshme në zonën e njohur si “Veliera” në qytetin e Durrësit. Sasia e lëndës plasëse, e lidhur me një celular, u pikas nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan menjëherë Policinë e Durrësit. Sipas disa raportimeve, pakoja e dyshimtë ishte shumë pranë pallatit ku banon ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Por ky detaj nuk është konfirmuar në njoftimin e Policisë.
Nga dje që u dha njoftimi për pakon e dyshimtë, zona u mbajt e rrethuar nga Policia dhe i gjithë qarkullimi u ndërpre. Eksplozivi u shpërthye sot në mëngjes, në mënyrë të kontrolluar nga ekspertët xhenierë. Tashmë kanë nisur hetimet për të gjetur autorin që ka vendosur lëndën plasëse në zonë. Po ashtu, nuk dihet as për kë ishte vendosur lënda plasëse. Çështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Durrësit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/Më datë 20.05.2025, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 1, në vendin e quajtur "Veliera", është konstatuar një pako me lëndë të dyshuar plasëse. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë dhe vendosën perimetrin e sigurisë, ndërsa njësia antieksploziv e RENEA-s kreu veprimet për çaktivizimin e pakos me lëndë plasëse që ishte lidhur me një celular të ngjitur me natriban.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /ZËRI