VLORË-Kontrollet në burgje kanë vijuar edhe sot, ku një aksion i befasishëm është zhvilluar në IEVP Vlorë. Gjatë kontrolleve është gjetur një iPhone i fshehur në dyshek në një prej qelive. Celulari ka qenë i mbështjellë me një copë të bardhë, ndërsa ende nuk dihet se kujt të burgosuri i përkiste.
Njoftimi:
Goditet rast i posedimit të sendeve të ndaluara në IEVP Vlorë
Në vijim të kontrollove të befasishme në IEVP Vlorë nën drejtimin e drejtuesit të institucionit, shefit të policisë dhe grupit të Sigurisë është evidentuar një rast i posedimit të sendeve të ndaluara.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjediset e brendshme në katin e dytë u konstatua dhe u sekuestrua një aparat celular tip Iphone, i fshehur brenda në dyshek. Lidhur me rastin janë kryer veprimet proceduriale dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendit të ndaluar.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në forcimin e sigurisë në institucionet penitenciare dhe në goditjen e çdo paligjshmërie brenda sistemit.