TIRANË-Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar masë displinore për avokatin e Ilir Metës, Kujtim Cakranin, pasi lejoi ish-presidentin të komunikojë me mediat nëpërmjet telefonit të tij nga burgu. Burgjet akuzojnë avokatin se ka shkelur rregullat, pasi ka lejuar që Ilir Meta të realizojë një audio-intervistë nga ambientet e paraburgimit.
Në kërkesë thuhet se sipas ligjit "Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve dhe të të Paraburgosurve", leja për realizimin e telefonatave, takimeve apo formave të tjera të komunikimit për një të paraburgosur, duhet të miratohet paraprakisht nga prokurori i çështjes.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI