TIRANË-Babai i ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka humbur jetën në një aksident rrugor. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e 14 majit, në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”.
87-vjeçari Luan Pirdeni ka qenë duke lëvizur me biçikletë, në momentin që është përplasur nga një motomjet. Pas aksidentit, Luan Pirdeni është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore, i është dhënë gjak, por nuk ia ka dalë të mbijetojë.
Uniformat blu bëjnë me dije se drejtuesi i motomjetit, Sejdi Milla është arrestuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin S. M., 31 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”, duke drejtuar motomjetin, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi L. P., 87 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, 87-vjeçari ka humbur jetën në spital.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.